Dy fytyra të Shqipërisë në Bruksel. Sali Berisha flet kundër integrimit dhe zgjedhjeve të 11 majit, në takime informale me eurodeputetë, por në të njëjtën kohë mori një shuplakë me 5 yje në mes të Parlamentit Europian.
Komiteti për Politikat e Jashtme të BE miratoi raportin zyrtar për Shqipërinë, certifikoi zgjedhjet e 11 majit dhe vlerësoi hapat e Shqipërisë në integrimin europian.
Në mbledhjen e drejtuar nga David McAllister, eurodeputeti i PPE, raporteri Andreas Schieder tregoi mbështetjen që populli shqiptar i ka dhënë anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Shqipëria me krenari mund të quhet ‘një nga vendet përparimtare’ ndër kandidatët për anëtarësim në BE. Kjo, pjesërisht, falë mbështetjes së gjerë të popullatës shqiptare. Por nuk jemi ende në vijën e finishit. Është thelbësore të vazhdohet me të njëjtin ritëm dhe përkushtim, duke luftuar korrupsionin dhe duke forcuar sundimin e ligjit. “
Raporti u miratua me një shumicë të konsiderueshme votash, 57 pro, 11 kundër e 6 abstenim. Nga mazhoranca socialiste të pranishëm ishin deputetët Toni Gogu e Etjen Xhafaj, kurse nga demokratët Oerd Bylykbashi dhe Jorida Tabaku.
Në dokumentin zyrtar, eurodeputetët shprehin mbështetje për objektivin e Shqipërisë që synon mbylljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në deri në fund të vitit 2027, por nënvizojnë se “ka nevojë urgjente për të thelluar reformat”. Ata kërkojnë që autoritetet shqiptare të përqendrohen në “forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore”.
Po ashtu, vlerësohet edhe konsensusi politik në Shqipëri për të përshpejtuar procesin e integrimit europian. I vetmi kundër, është Sali Berisha. Jo vetëm mori një shuplakë, por po kthehet edhe duarbosh.
ABC NEWs mëson se PPE nuk do të miratojë asnjë rezolutë për zgjedhjet e 11 majit. Kësaj radhe nuk i dhanë asnjë copë letër. I premtuan Berishës vetëm se do të dërgojnë një mision faktmbledhës, me shpresën, se do të përfundojë në Shqipëri, e jo në Liban.