Bashkimi Europian është i gatshëm t’i ofrojë Mbretërisë së Bashkuar një shtyrje për të dalë nga Unioni, por me kushte. Kryetari i Këshillit Europian, Donald Tusk ka deklaruar se garancitë e reja që Brukseli i ka ofruar Londrës janë të mjaftueshme që britanikët të mbështesin marrëveshjen aktuale.
BE do të pranojë një shtyrje të shkurtër të Breksit nëse ligjvënësit britanikë miratojnë javën e ardhshme marrëveshjen aktuale të daljes së Britanisë nga BE-ja. Ka qenë ky mesazhi që presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk i ka përcjellë kryeministres Theresa May, pas kërkesës së kësaj të fundit. May i kishte shkruar Tusk duke i kërkuar një shtyrje të Breksit deri më 30 Qershor, duke argumentuar se i nevojitej më shumë kohë për të siguruar miratimin e marrëveshjes së saj në Parlament.
Mbretëria e Bashkuar është planifikuar të largohet nga Bashkimi Europian të premten e javës së ardhshme, më 29 maj. Në përgjigjen e tij, Tusk deklaroi se beson se 27 vendet anëtare, që duhet të japin konsensusin për shtyrjen, do të bien dakord, por lëvizja në thelb varet nga votimi në Dhomën e Përfaqësuesve. Ndërkohë, Unioni më pas do të mbetet i hapur për të diskutuar zgjatjen e shtyrjes.
Ndërsa ka theksuar se marrëveshja aktuale e tërheqjes nuk mund të ndryshohet, kreu i Këshillit Europian ka sugjeruar se garancitë shtesë që BE i ka ofruar kryeministres May javën e kaluar në Strazburg mund të formalizohen në mënyrë që të sigurohet mbështetja e ligjvënësve. May ka kërkuar një votim të tretë të marrëveshjes së negociuar me Brukselin, por më herët gjatë javës, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve vendosi se një manovër e tillë është e pamundur.//abcnews.al