BE ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmë për Ukrainën pas sulmit të digës. Qendra Koordinuese e Reagimit Emergjent të Komisionit Evropian (ERCC) theksoi se mbeten në kontakt të ngushtë me autoritetet ukrainase për të adresuar çdo nevojë, duke përfshirë ushqimin dhe ujin e pijshëm.
BE dënon sulmin ndaj digës në hidrocentalin Kakhovka duke shtuar se kjo përbën një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe veçanërisht të ligjit ndërkombëtar humanitar. Rreziku i mijëra civilëve nga përmbytjet përkeqëson më tepër situatën në atë zonë, thuhet në deklaratë.
“Ne mbetemi në kontakt me autoritetet ukrainase për të siguruar ndihmën e menjëhershme të BE-së. Qendra Koordinuese e Reagimit Emergjent të Komisionit Evropian (ERCC) po monitoron në mënyrë aktive situatën dhe është në kontakt të ngushtë me Shërbimin Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës. Ukraina mund të kërkojë ndihmë sipas Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së (UCPM). Ne jemi të gatshëm për të adresuar çdo nevojë imediate, duke përfshirë ushqimin dhe ujin e pijshëm.
Kujtojmë se sulmet ndaj infrastrukturës kritike civile mund të përbëjnë krime lufte. Ne theksojmë vendosmërinë tonë për të siguruar që të gjithë komandantët, autorët dhe bashkëpunëtorët e krimeve të luftës ose krimeve të tjera më të rënda do të mbahen përgjegjës në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Ne përsërisim mbështetjen tonë për Formulën e Paqes të Presidentit Zelenskyy, e cila përfshin gjithashtu përgjegjësinë për krimet e luftës, sigurinë bërthamore, sigurinë e energjisë, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e mjedisit, dhe u bëjmë thirrje partnerëve tanë globalë të mbështesin Formulën e Paqes. Bashkimi Evropian mbetet i palëkundur në mbështetjen e tij ndaj Ukrainës për aq kohë sa duhet”, thuhet në deklaratë./abcnews.al