Bashkimi Europian ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të politikave kundër emigracionit të paligjshëm. Këshilli i Çështjeve të Brendshme ka miratuar një rregullore të re që synon përshpejtimin e procedurave të azilit dhe riatdhesimit, duke i dhënë shteteve anëtare mjete më efikase për menaxhimin e flukseve migratore.
Qendra për procedura në vende të treta
Rregullorja e re lejon krijimin e qendrave të posaçme në vende të treta – një mekanizëm që tashmë është zbatuar nga Italia në Shqipëri. Këto qendra synojnë shqyrtimin më të shpejtë të kërkesave për azil dhe rikthimin e personave që nuk përmbushin kriteret.
Rishikimi i konceptit të “vendit të tretë të sigurt”
Dokumenti i miratuar rishikon dhe zgjeron konceptin e vendit të tretë të sigurt, duke krijuar bazë ligjore për refuzimin e kërkesave për azil si “të papranueshme”, pa hyrë në trajtimin e detajuar të tyre.
Në këtë kuadër, BE-ja ka miratuar listën e parë të përbashkët të vendeve të sigurta të origjinës, një pjesë kyçe e Paktit të Migracionit dhe Azilit 2024. Lista përfshin:
Kosovën, Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Marokun, Tunizinë
Për qytetarët e këtyre shteteve, kërkesat për azil në BE pritet të refuzohen në mënyrë të përshpejtuar.
Deklarata zyrtare
“Sot ramë dakord për listën e parë të BE-së të vendeve të sigurta të origjinës, e cila do të ndihmojë në krijimin e procedurave më të shpejta dhe më efikase të azilit dhe në kthimin e atyre që nuk kanë nevojë për mbrojtje,” tha Rasmus Stoklund, ministri danez për Emigracionin, duke e cilësuar këtë një moment vendimtar për politikën e azilit në BE.
Apelimet pa të drejtë qëndrimi
Rregullorja e re parashikon gjithashtu që aplikantët që apelojnë vendimin e refuzimit të azilit, kur ky bazohet në konceptin e vendit të tretë të sigurt, nuk do të kenë më të drejtë automatike qëndrimi në territorin e BE-së gjatë procesit të apelimit.
Listat kombëtare mbeten në fuqi
Edhe pse BE vendos një listë të përbashkët, shtetet anëtare do të vazhdojnë të mbajnë listat e tyre kombëtare të vendeve të sigurta të origjinës, të cilat mund të përfshijnë edhe shtete të tjera jashtë listës europiane.

