Vendet e Bashkimit Evropian nuk arritën të vendosin të premten për një “listë të sigurt” të vendeve, banorët e të cilëve mund të udhëtojnë në këtë bllok nga muaji korrik, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe Rusia janë vende të përcaktuara për t’u përjashtuar nga kjo listë.
Ambasadorët nga 27 vendet anëtare të BE-së u mblodhën nga e premtja pasdite për të përcaktuar kritere për lejimin e hyrjes pa karantinë nga e mërkura e ardhshme.
Një tekst i ripunuar u paraqit nga një grup prej 10-20 vendesh, por shumë diplomatë thanë se duhej të këshilloheshin së pari me qeveritë e tyre. Lista nuk përfshin Shtetet e Bashkuara, Brazilin apo Rusinë, tha një diplomat. Vendet anëtare pritet të japin një përgjigje jozyrtare deri të shtunën në mbrëmje.
Komisioni Evropian kishte këshilluar që blloku së pari të heqë kontrollet e kufijve të brendshëm dhe pastaj gradualisht të hapë kufijtë e jashtëm. Megjithatë, hapi i parë nuk ka shkuar sipas planit.
Greqia po urdhëron testet për COVID-19 për personat që mbërrijnë nga një varg vendesh të BE-së, përfshirë Francën, Italinë, Hollandën dhe Spanjën, me vetë-izolim derisa të njihen rezultatet.
Republika Çeke ka thënë se nuk do të lejojë të hyjnë turistët nga Portugalia, Suedia dhe një pjesë e Polonisë.
Ekziston një marrëveshje e gjerë që blloku duhet të hapet vetëm për ata me një situatë të ngjashme ose më të mirë epidemiologjike, por ka pikëpyetje se si të vlerësohet trajtimi i një vendi nga epidemia dhe besueshmëria e të dhënave.
Një numër vendesh, si Tanzania, Turkmenistani dhe Laosi nuk kanë raste të raportuara në dy javët e fundit, sipas agjencisë së BE-së, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Bazuar në të dhënat e ECDC-së për një periudhë dy javore deri të enjten, një sërë vendesh janë qartazi në një situatë më të keqe se Bashkimi Evropian.
Ato përfshijnë Shtetet e Bashkuara, Meksikën, Brazilin dhe pjesën më të madhe të Amerikës Latine, Rusinë, Afrikën e Jugut dhe Arabinë Saudite.
Komisioni ka sugjeruar që vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – duhet të pranohen.
Sidoqoftë, sipas të dhënave të ECDC-së, numri i rasteve në Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut mund të jetë shumë i lartë. / VOA