“BE ende pa një politikë për kufijtë”, Klosi: Sezonin turistik këtë vit e mbajnë shqiptarët përtej bjeshkëve

schedule20:01 - 24 Maj, 2021

schedule 20:01 - 24 Maj, 2021

Mund të jemi në fund të pandemisë, por nuk kemi dalë ende nga pandemia. Ky është një fakt që sipas ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi duhet mbajtur parasysh kur mendojmë për sezonin turistik këtë vit.

Në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ”, Klosi tha që edhe pse jemi në fund të majit, nuk kemi ende një politikë të qartë të kufijve nga ana e bashkimit evropian. Dhe, kjo sipas tij, do të ndikojë në turizmin e huaj në vendin tonë.

“Mospasja e një politike të qartë, po bën që shumë nga rezervimet të jenë një problem. Ky problem nuk është vetëm në Shqipëri.  Gomë shpëtimi do të kemi turizmin rajonal. Jemi në diskutime me grupet e ekspertëve.”

I pyetur nëse Shqipëria ka nisur që të lobojë me shtete të ndryshme për t’u hequr nga lista e “zonave të kuqe” sa i përket koronavirusit, ministri tha se ai do të zhvillojë një turn në vendet e rajonit gjatë të cilave do të ketë komunikime me homologët e tij.

“Do kem një tur me vendet e rajonit për të komunikuar me homologët, politikat e BE-së janë shumë të ngurta edhe për vetë vendet anëtare. Ministrat e turizimit janë në një lloj presioni, duhet konsensus edhe nga komiteti i turizmit. Një negociatë që duhet bërë me botën e mjekësisë.”

Blendi Klosi theksoi se panorama më optimiste duket tek turizmi i vendeve të rajonit.

“Politika që ndoqëm për kufij të hapur do të jete sërish këtë sezon.  Turizëm pa shumë kufizime, duhet ta pranojmë që shqiptarët përtej bjeshkëve janë një burim shumë i fortë për ta mbajtur turizmin e këtij viti. Jemi në negociata me qeverinë serbe dhe atë të Maqedonisë së Veriut…”

Sipas ministrit Klosi, problematika kryesore këtë sezon do të jetë që të ofrohen pushime të sigurta. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!