BE: Dialogu të jetë prioriteti i jashtëm më i rëndësishëm i Kosovës

schedule18:43 - 14 Prill, 2021

schedule 18:43 - 14 Prill, 2021

Zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, është shprehur për mediat se prioritetet që ka caktuar kryeministri Albin Kurti janë shumë të rëndësishme për Kosovën, por vetëm sa u përket punëve të brendshme.

Dialogu, sipas tij, është prioriteti më i rëndësishëm i jashtëm që Kosova ka përpara.

“Kur bëhet fjalë për prioritetet e Qeverisë, nuk ka konkurrencë në mes prioriteteve individuale. Prioritetet e brendshme të Kurtit janë shumë të rëndësishme. Por, në të njëjtën kohë dialogu është prioriteti më i rëndësishëm i politikës së jashtme të Kosovës dhe nuk duhet të shihet si i ndarë apo që s’përputhet me prioritetet tjera që i ka përmendur kryeministri”, ka thënë Stano.

Kurti edhe këtë të mërkure bashkë me zëvendësen e tij, kryediplomaten Donika Gërvalla, kanë ripërsëritur prioritetet qeverisëse në një takim virtual me udhëheqësit e misioneve diplomatike të Bashkimit Europian në Kosovë.

Ai para tyre ka përsëritur se prioritetet e qeverisë janë drejtësia dhe punësimi, reformimi i sistemit të drejtësisë dhe promovimi i investimeve.

Temën e dialogut në këtë takim e ka prekur ministrja Gërvalla, e cila është shprehur se e mirëpret interesimin e BE-së për dialogun, por se me rëndësi është fokusi në luftimin e pandemisë, zhvillimin ekonomik dhe reformën në drejtësi.

Por, tjetër fokusim të Kosovës në politikën e jashtme po pret BE, sipas tij.

“BE dhe shtetet anëtare presin që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim vazhdimin e takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë mundësinë që kanë përpara tyre për të sjellë këtë proces të rëndësishëm në një përfundim të suksesshëm”, u shpreh Stano.

Nga ana tjetër, Stano nuk ka bërë të ditur për datën dhe agjendën e takimit të ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke shtuar se kjo do të njoftohet në një kohë të përshtatshme. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!