BE dhe OSBE kërkojnë më tepër mbështetje për mediat

schedule15:30 - 12 Dhjetor, 2017

schedule 15:30 - 12 Dhjetor, 2017

Ndërkombëtarët kërkojnë më tepër vëmendje për mediat në Shqipëri. Në Forumin për Zhvillimin e Medias ku ishin të pranishem Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin dhe ai i OSBE-së Bernd Borchardt  u diskutua për sfidat për lirinë e medias dhe perspektivat e zhvillimit të vetërregullimit të gazetarëve.

Media nuk është një biznes si gjithë të tjerët. Me këtë deklaratë  kryetarja e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri Romana Vlahutin në Forumin për Zhvillimin e Medias kërkoi më tepër vemendje për gazetarët.

“Fatkeqësisht ka shumë gazetarë në Shqipëri që vazhdojnë të punojnë pa kontrata dhe kjo për një shoqëri demokratike, për gazetarët dhe aktivitetin e tyre është krejtësisht e papranueshme.

Media nuk është biznes si bizneset e tjera edhe kur flasim për mediat private. Ne sigurisht që kemi interesa dhe pika të përbashkëta dhe një ndër to mbetet informimi i plotë i audiencës.”

Liria e medias sipas kryetarit të Prezencës së OSBE-së në vendin tonë është tregues i një demokracie të qëndrueshme. Po nuk ka të drejta pa përgjegjësi e në këtë pikë media duhet të respektojë standardet.

“Raportimi kritik është vendimtar për çdo demokraci, por ai duhet ushtruar në mënyrë konstruktive, me argumente të mirëhulumtuara dhe të shmangin sulmet personale.

Kritikoni personat me pushtet – kjo është puna juaj – por bëjeni këtë me artikuj të bazuar mirë. Raportimet e pabazuara në fakte mund të përfundojnë në padi për shpifje. Ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se çështjet gjyqësore mund të krijojnë precedentë që mund të ndikojnë negativisht në gjendjen e lirisë së medias, duke çuar në vetëcensurim dhe duke penguar të drejtën e gazetarëve, apo mundësinë dhe gatishmërinë e tyre, për të shkruar në mënyrë kritike. Shpresoj që gjykatësit që merren me çështje të tilla të kenë parasysh balancën sensitive mes mbrojtjes së individit dhe lirisë së domosdoshme të medias kur marrin vendime për këto raste. Ju lutem të keni gjithmonë parasysh se është më e lehtë të mbrosh një gazetar kur ai ose ajo respekton standardet profesionale”. 

Raporte të ndryshëm ndërkombëtarë e kanë cilësuar median shqiptare pjesërisht të lirë ndërkohë që vetëm pak kohë më parë kryeministri Edi Rama u përplas me gazetarët të cilët pas ofendimeve u detyruan t’i hiqnin mikrofonin.

Sfidat për lirinë e medias dhe perspektivat e zhvillimit të vetërregullimit të gazetarëve në vendin tonë ishin temë disktuimi në këtë forum që në organizimin e Prezencës së OSBE-së në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe të medias u zhvillua për të tretën herë në Tiranë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!