BE dëshiron ta zhbëjë “Brexit” për të rinjtë

schedule10:02 - 20 Prill, 2024

schedule 10:02 - 20 Prill, 2024

Komisioni Europian mendon se studentët dhe të rinjtë e sapodiplomuar të Europës vuajtën më së shumti pasojat e kufizimeve të lëvizjes së lirë pas Brexitit. Prandaj BE po përpiqet të përmirësojë lëvizjen mes 27 vendeve anëtare të tij dhe Britanisë së Madhe, veçanërisht për njerëzit e moshës mes 18 dhe 30 vjeç. Por nëse një propozim i tillë do të mirëpritet nga Londra, kjo mbetet ende për t’u parë.

Institucioni ekzekutiv i BE-së, Komisioni Europian, ka nisur të krijojë një bllok të gjerë bisedimesh me Mbretërinë e Bashkuar me qëllimin lejimin e të rinjve nga vendet e Bashkimit Europian që duan të studiojnë dhe jetojnë në Britani për një periudhë 4-vjeçare. E njëjta gjë do të vlente edhe për rininë britanike.

Në rast miratimi ky propozim do ta rikthente shkallën e lëvizshmërisë në atë të periudhës para-Brexit, kur shtetasit e vendeve anëtare të BE-së – asokohe 28 të tilla, përfshirë edhe Britaninë e Madhe – lejoheshin të punonin dhe shkolloheshin pa pa pasur nevojën e një vize. Plani i ri i KE-së e përfshin pajisjen me vizë, por jo me tarifa “të kripura”.

Edhe pse Komisioni Europian pret një përgjigje zyrtare nga Britania, duket se reagimet fillestare të kësaj të fundit kanë qenë të ftohta.

Cili është propozimi i Komisionit?

Marrëveshja e propozuar do t’u lejonte qytetarëve të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, të moshës nga 18 deri në 30 vjeç, që të qëndrojnë deri në 4 vjet në shtetin e përzgjedhur prej tyre për shkollim dhe punësim.

Shtetasit e BE-së që zgjedhin të studiojnë në Britani, do të paguajnë të njëjtat tarifa universitare si shtetasit britanikë, çka nënkupton më pak se gjysmën e tarifave aktuale që ata po paguajnë si shtetas jo-britanikë. Para se Brexit të hynte në fuqi, tarifat ishin në të njëjtat nivele, pavarësisht kombësisë së studentit.

“Kjo situatë ka ndikuar në veçanti mundësitë e të rinjve që duan të krijojnë eksperienca jetësorë në anën tjetër të Kanalit dhe të përfitojnë nga shkëmbimet kulturore, arsimore, kërkimore dhe trajnuese” – argumentoi Komisioni Europian, duke iu referuar realitetin të krijuar pas Brexit.

Në të njëjtin argumentim, Komisioni tha se mbetet i hapur që Britania e Madhe t’i bashkohet skemës europiane të shkëmbimit studentor, “Erasmus”. Londra doli nga “Erasmus” në kohën kur vendin e qeveriste Boris Johnson, i cili asokohe pretendoi se ishte një skemë jashtëzakonisht e kushtueshme.

Cila është lëvizja e radhës?

Rekomandimet e Komisionit Europian do të diskutohen mes vendeve anëtare, të cilat duhet ta miratojnë këtë plan para hapjes së negociatave zyrtare me Mbretërinë e Bashkuar.

Sidoqoftë, reagimet fillestare të Britanisë ndaj këtij rekomandimit, nuk duken shumë të ngrohta. Britania e ka në fuqi skemën për lëvizjen e studentëve me 13 shtete me të cilat bashkëpunon. Gjithsesi Komisioni pretendon se propozimi i tij është më ambicioz.

“Ne duam t’i mbështesim njerëzit e kualifikuar dhe të talentuar të Britanisë dhe për këtë arsye kemi një skemë funksionale dhe një sërë marrëveshjesh individuale me shtete të caktuara të Bashkimit Europian, që u shërbejnë shumë mirë interesave tona. Mbase më shumë se një marrëveshje e gjerë me Komisionin” – tha një zëdhënës i kryeministrit britanik./ DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!