BBC: Java që shtyu Lindjen e Mesme në prag të luftës totale

schedule10:08 - 5 Tetor, 2024

schedule 10:08 - 5 Tetor, 2024

Ka pasur shumë momente rreziku ekstrem gjatë vitit të kaluar. Ky është më i keqi.

Në shtatë ditët e fundit, lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah është vrarë, Izraeli ka nisur një pushtim tokësor të Libanit dhe Irani ka goditur me rreth 200 raketa balistike në objektivat anembanë Izraelit.

Fuqitë perëndimore dhe rajonale – të udhëhequra nga SHBA – kanë kërkuar uljen e tensioneve. Këshilli i Sigurimit i OKB-së bëri thirrje për “përfundim të menjëhershëm” të luftimeve dhe G7, që përfshin SHBA-në,

Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, ka bërë thirrje për “përmbajtje”.

Por deri më tani këto përpjekje kanë dështuar – dhe Lindja e Mesme është më afër se kurrë një lufte gjithëpërfshirëse.

Kjo ishte java që afroi luftën totale, dhe ja çfarë ndodhi:

Mbrëmja e së premtes: Vritet Nasrallah

Ndërsa dielli perëndonte mbi Bejrut më 27 shtator, jugu i qytetit u sulmua dhe u dëgjuan një seri shpërthimesh të forta.

Disa ndërtesa banimi u goditën, duke lënë një krater të madh në tokë. Kolonat e pluhurit dhe mbeturinave mbushën horizontin, të dukshme nga i gjithë kryeqyteti libanez.

Sulmi, që kishte në shënjestër një bunker nëntokësor, vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Nasrallah nuk ishte parë në publik për vite me rradhë nga frika se mos vritej nga Izraeli.

Vdekja e tij mbylli një javë sulmesh të përshkallëzuara izraelite që kishin në shënjestër Hezbollahun dhe kishin lënë pas, më shumë se 500 të vdekur.

Një javë më parë, një seri shpërthimesh radiosh dhe pagerash, lanë të paktën 32 të vdekur dhe mbi 3000 të plagosur.

Vdekja e Nasrallahut fshiu të gjitha shpresat e një uljeje të tensioneve, që vetëm disa orë më herët dukej si diçka e mundur.

Një propozim i SHBA për një armëpushim 21-ditor ishte diskutuar në skajet e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork. Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, madje kishte thënë se pala e tij ishte “e hapur ndaj ideve”.

Por disa orë pas sulmit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndodhej në një fluturim të nxituar për në shtëpi nga OKB – dhe çdo shpresë për mbizotërimin e diplomacisë u shua.

Mbrëmja e së hënës: Izraeli pushton Libanin

Tre ditë më vonë, forcat izraelite hynë në Liban, duke shënuar fillimin e një pushtimi tokësor.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se operacionet e tyre do të jenë “të kufizuara dhe të shënjestruara”.

Luftimet e deritanishme kanë dëbuar afro 1.2 milionë njerëz nga shtëpitë e tyre, sipas njësisë së krizave të Libanit. Të paktën 8 ushtarë izraelitë janë vrarë.

Izraeli thotë se operacioni ka për qëllim ndalimin e aftësisë së Hezbollahut për të lëshuar raketa dhe dronë përtej kufirit – diçka që grupi terrorist e ka bërë pothuajse çdo ditë që kur Hamasi, aleati i tij palestinez, kreu një sulm vdekjeprurës në Izraelin jugor pothuajse një vit më parë, duke nxitur Luftën e Gazës.

Tani trupat izraelite po bëjnë një luftë tokësore në dy fronte njëkohësisht: Gaza dhe Liban. Kjo nuk ka ndodhur në disa dekada.

Lufta e fundit midis Izraelit dhe Hezbollahut, në vitin 2006, përfundoi me Rezolutën 1701 të OKB-së, e cila përcaktonte se Hezbollahu duhej të tërhiqte forcat nga Libani jugor.

Kjo nuk ndodhi kurrë dhe me mbështetjen iraniane, Hezbollahu u rrit në fuqi.

Izraeli nuk ka thënë se dëshiron të eleminojë tërësisht Hezbollahun nga peizazhi politik i Libanit (siç ka bërë me Hamasin në Gaza), por me gjithë fjalët se ky është një operacion “i kufizuar dhe i targetuar”, është e qartë se Izraeli është i vendosur të dobësojë pa mëshirë Hezbollahun.

Mbrëmja e së martës: Irani sulmon Izraelin

Të nesërmen, rreth orës 19:30 me orën lokale, 10 milionë izraelitë u njoftuan të vraponin drejt vendstrehimeve në të gjithë vendin, pasi Irani lëshoi ​​rreth 200 raketa balistike ndaj Izraelit.

Sistemi i mbrojtjes ajrore hyri shpejt në veprim – dhe aleatët përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe u përfshinë në zmbrapsjen e sulmit – një tjetër shenjë e zgjerimit të konfliktit.

IDF tha se shumica e raketave u interceptuan, por një numër i vogël goditi Izraelin qendror dhe jugor. I vetmi person që u raportua se ishte vrarë ishte një palestinez në Bregun Perëndimor.

Me grupin e tij më të madh në kaos, Teherani llogariti se duhej të bënte diçka më dramatike sesa sulmi i fundit me raketa dhe dronë në muajin prill.

Kjo e shpjegon numrin më të madh të raketave balistike dhe mungesën e njoftimit paraprak.

Por ndërsa sulmi ishte më shumë se thjesht demonstrativ, ai nuk dukej se sinjalizonte dëshirën e Iranit për një luftë të plotë.

Kjo nuk është aspak e habitshme. Nëse do të hynte në një luftë totale, Irani e di se do të humbiste.

Madje mund të sillte fundin e Republikës Islamike.

Izraeli, me aleatë të fuqishëm perëndimorë – dhe një numër të vogël fqinjësh të Lindjes së Mesme të gatshëm për të ndihmuar në rrëzimin e raketave iraniane – është një superfuqi rajonale.

Irani, ekonomikisht i brishtë dhe i udhëhequr nga një qeveri jopopullore, as që nuk mund të krahasohet. Ai nuk ka as llojin e aleatëve që do të ishin të gatshëm të vinin në mbrojtje të tij, në rast të një konfrontimi.

Udhëheqësi suprem, Ayatollah Khamenei, bëri deklarata sfiduese në lutjet e së Premtes në Teheran, por Irani e di se nuk mund të lejojë të përshkallëzohet konflikti.

Çfarë ndodh tani?

Pavarësisht humbjeve shkatërruese të Hezbollahut, ai është zotuar të luftojë në Liban.

Dhe historia na tregon se është e lehtë për Izraelin të hyjë në Liban, por e vështirë të largohet.

Sa i përket përgjigjes së Izraelit ndaj Iranit, rajoni – dhe bota – ka qenë në tension që nga e marta.

Presidenti i SHBA Joe Biden tha se ai e ka dekurajuar Izraelin që të godasë objektet iraniane, bërthamore ose të naftës si pjesë e hakmarrjes së tij.

Megjithatë, një reagim i ashpër duket i pashmangshëm dhe disa nga deklaratat e fundit të Benjamin Netanyahut sugjerojnë se ai mund të jetë duke menduar, në fund të fundit, për ndryshimin e regjimit në Iran.

Por objektivat imediate të Izraelit janë më afër shtëpisë. “Fitore totale” në Gaza dhe eleminimi i kërcënimit të paraqitur nga Hezbollahu përgjatë kufirit verior.

Udhëheqësit izraelitë theksojnë se ata janë në luftë në shumë fronte. Benjamin Netanyahu thotë se janë shtatë: Gaza, Libani, Bregu Perëndimor, Jemeni, Irani, Iraku dhe Siria.

Është e vërtetë që gjatë vitit të kaluar, sulmet kanë ardhur nga të gjitha këto drejtime, edhe pse grupet pro-iraniane në Irak dhe Siri deri më tani kanë paraqitur pak kërcënim real.

Ne nuk po shohim ende një luftë rajonale gjithëpërfshirëse, por me kaq shumë lojtarë që ndjejnë se kanë një pjesë, lufta në Gaza ka lëshuar metastaza, në një mënyrë dramatike. / BBC – Bota.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!