BB: Plakja e popullsisë kërcënon rritjen e produktivitetit

schedule15:37 - 14 Gusht, 2018

schedule 15:37 - 14 Gusht, 2018

Plakja e popullsisë dhe emigrimi kërcënojnë rritjen e produktivitetit në punë. Banka Botërore ngre shqetësimin në raportin e saj të fundit, ku thote se Shqipëria ka nivelin më të ulët në Europën Lindore.


Plakja e popullsisë në Shqipëri kërcënon rritjen e produktivitetit. Shqetësimi ngrihet nga Banka Botërore, e cila e sheh këtë si në afat të mesëm dhe të gjatë. Ndonëse në vendin tonë personat nën 30 vjeç përbejnë 41% të popullsisë të përgjithshme, shifër kjo më e lartë se në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, mosha mesatare po rritet.

Ndërsa pjesa e popullisë nën të 30-tat pësonte rënie nga viti 1980 deri në vitin 2015 ajo mbi të 30-tat rritje. Ndërkohë, emigrimi jashtë vendit konsiderohet si një faktor negativ. Banka Botërore evidenton se, numri i emigrantëve shqiptarë u rrit më shumë se trefish gjatë dekadave të fundit: nga 0.2 milionë në vitin 1990 në 1.05 milionë në vitin 2017, duke përfaqësuar pothuajse 40 % të popullsisë rezidente. Shifra më e lartë në Ballkanin Perëndimor pas Bosnjë dhe Hercegovinës.

Punonjësit e kualifikuar vënë në dukje se ekspertët nuk mund të zëvendësohen lehtë nga punëtorët e mbetur. Përveç kësaj edhe pse remitancat kontribuojnë në reduktimin e varfërisë, ato mund të dekurajojnë dëshirën për të punuar. Këto faktorë bëjnë që Shqipëria të ketë nivelin më të ulët se çdo vend tjetër i Europës Lindore të produktivitetit në punë./abcnews.al