Po mbushet gjysma e shekullit, por kurrë nuk do të harrohet. Bajerni pësoi një nga turpërimet më të mëdha në historinë e tij kur në 1978, u eliminua nga ekipi i kategorisë së dytë, Osnabryk.
Ishte turi i dytë i Kupës së Gjermanisë. Brezi i madh i Majernit, Brajtnerit, Shvarcenbekut, Nidermajerit, Gerd Mylerit, Rumeniges, Augentalerit apo Uli Hënesit, u mposht pikërisht në “Olimpiashtadion” me shifrat e mahnitshme 5-4, edhe pse Bomberi Myler realizoi tre gola.
Kjo bëmë u kujtua ndërsa mbrëmjen e fundit Bajerni luajti sërish ndaj Osnabrykut, këtë herë në raundin e parë të Kupës, dhe në fushën e rivalit. Ekipi vendas, sërish në Bundesligën e dytë, sikur I drithëroi gjigandët kur shënoi një gol për Çmimin Pushkash duke kaluar në epërsi.
Gjithsesi, historia nuk u përsërit ndonëse Osnabryku u mbështet nga mbi 15 000 tifozë të zjarrtë. Edhe pse trajneri bavarez, Vinsent Kompani, kishte bërë rotacion të fortë, sërish diferenca në cilësi ishte e madhe.
Kimih, Kejn, Olise dhe Luis Dias ishin titullarë, ashtu si iraniani i sulmit Saibari e të tjerë. Pas pushimit hynë edhe Dejvis, Laimer, Ndiaje, Karl dhe Pavlovic.
Golat u shënuan dy herë nga Harri Kejn, i shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes, nga Bishof dhe Olise. Kualifikim I merituar dhe thuajse rutinë për Bajernin, kampion në fuqi të Gjermanisë.
Të shtunën e 5 shtatorit luhet për Bundesligën në fushën e Shalkes, në një stadium të zjarrtë në Gelsenkirshen me mbi 60 000 tifozë fanatikë në tribuna, ndërsa të martën e 10 shtatorit nis faza e grupeve në Champions, dhe në “Alianc Arenë” të Mynihut vjen Bodo Glimt nga Norvegjia./abcnews.al

