Bayern Munich në “Allianz Arena” për të tentuar mrekullinë, City kërkon biletën për t’u “hakmarrë” ndaj Realit

schedule12:02 - 19 Prill, 2023

schedule 12:02 - 19 Prill, 2023

Nga Hergi Llupi

Duke u rikthyer në terrenin e tij të mëparshëm pa asnjë grimcë ndjenjash, Pep Guardiola drejton skuadrën e tij të Manchester City për ndeshjen e dytë të çerekfinales së Champions League kundër Bayern Munich në “Allianz Arena” sot në orën 21:00.

Kampionët e Premier League fluturan drejt Gjermanisë me një avantazh 3-0 nën brez nga ndeshja e parë e javës së kaluar, kur Thomas Tuchel ishte pagëzuar si bavarez. Një perlë e Rodri në pjesën e parë ishte fillimi i serisë së golave nga Bernardo Silva me një goditje me kokë dhe një gol nga Erling Haaland. Megjithatë, pas kësaj humbjeje me rezultatin 3-0, Tuchel befasoi në përfundim të ndeshjes pasi theksoi se ra në dashuri me ekipin e tij.

Deri më tani, vendimi i guximshëm i bordit gjerman për të ndarë rrugët me Julian Nagelsmann nuk është justifikuar, pasi Tuchel ka fituar vetëm dy nga pesë ndeshjet e tij të para në krye, dhe Bayern ka vetëm një ndeshje pa pësuar gol në shtatë ndeshjet e tyre të fundit. Statistika nuk shtë shqetësuese, por bëhet e tillë kur përballë ke një lojtar si Haaland, i cili është i uritur për të shënuar në çdo ndeshje.

“Vikingu” Haaland ka shifra të frikshme mbi shpatulla këtë sezon dhe padyshim është futur në librin e historive të Manchester City, por edhe të Premier League. Sulmuesi norvegjez këtë sezon deri më tani ka shënuar në 40 ndeshje plot 47 gola. Kjo tregon qartë se kundërshtarët kanë të bëjnë me një lojtar vrastar përballë portës dhe bavarezët i druhen kësaj gjëje më shumë se gjithçka.

City ndodhet në një formë të jashtëzakonshme këtë sezon, edhe pse në vendin e parë të ligës angleze ndodhet Arsenali. Në fakt, diferenca është vetëm me katër pikë dhe Guardiola shpreson ende se mund të bëjë mrekullinë deri në përfundim të sezonit.

Nga ana tjetër, kemi një Bayern Munich i cili nuk po kalon momente shumë pozitive. Shkarkimi i trajnerin Nagelsmann, eliminimi nga Kupa e Gjermanisë, barazimi në Bundesliga, humbja e thellë 3-0 ndaj Cityt në ndeshjen e parë dhe përplasja e rëndë fizike mes Mane-Sane në dhomat e zhveshjes, ka bërë që ujërat të trazohen në kampin bavarez.

Do të duhet ndonjë mrekulli sot në mbrëmje që Tuchel me 11 lojtarët e tij të bëjë të mundur një kualifikim.

Bayern Munich pritet të startojë sot me Sommer në portë, ndërsa Pavard, Upamecano, De Ligt dhe Davies priten të jenë në mbrojtje. Kimmich, Goretzka dhe Musiala priten të reshtohen në mesfushë, ndërsa Sane, Coman dhe Choupo Moting në repartin e sulmit.

Anglezët e Manchester City priten të futen në fushën e lojës me Ederson në portë, Akanji, Dias, Ake dhe Stones në mbrojtje. Rodri, Gundogan dhe De Bruyne në mesin e fushës, ndërsa Bernardo Silva, Grealish dhe Haaland priten të drejtojnë sulmin e “qytetarëve”.

Në fakt, edhe pse me një disavantazh me tre gola, Bayern Munich beson ende se mund të bëjë ndonjë përmbysje të madhe për të prekur gjysmëfinalet. Tuchel do të duhet të durojë të paktën 90 minuta për të parë nëse do të mundet të fitojë me përmbysje ndaj Guardiolës, kundërshtarit të tij./ h.ll/abcnews.al

Formacionet e mundshme:

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!