Pas më shumë se 33 vitesh pritje, Napoli ka mbrëmjen e sotme mundësinë për t’u shpallur kampion i Serie A, padyshim ky një moment historik për “blutë” e jugut të Italisë. Mirëpo, kur mendon sukesin e këtij sezoni, padyshim nuk mund të lihen pa përmendur dyshja e “çmendur” e sulmit napoletan, Kvicha Kvaratskhelia e Victor Osimhen.
Nigeriani ka shënuar plot 26 gola e ka dhuruar 4 asiste në 32 ndeshjet e luajtuar me fanellat e “bluve” këtë sezon, ku nga këto 26 gola, 21 janë shënuar vetëm në Serie A, duke e pozicionuar “bishën” afrikane, si të parin në listën e golashënuesve dhe pretendentin kryesor për fitimin e “Këpucës së Artë” në Itali.
Megjithatë, merkato e verës po vjen dhe duket se Osimhen mund të nisë një “aventurë” të re sezonin e ardhshëm, teksa prej javësh po aludohet për një kalim të mundshëm të nigerianit te “gjigandët” gjermanë të Bayern Munich, mirëpo ditët e fundit ka patur disa ndryshime.
“Bavarezët” mund të ofrojnë deri në 100 milionë euro për kartonin e 24-vjeçarit, mirëpo Presidenti i Napoli-t, Aurelio De Laurentiis nuk pranon më pak se 150 milionë euro, duke i nxjerrë kështu nga gara kampionët gjermanë, të cilët nuk e kanë ndërmend të paguajnë një shumë të tillë.
Me largimin e “bavarezëve” tashmë në garë për “bomberin” afrikan kanë mbetur Manchester United, Chelsea e Real Madrid klube këto që mund ta përballojnë lehtësisht një transferim stratosferik i ky i Osimhen. /i.m /abcnews.al