Harry Kane është një nga sulmuesit më të mirë të botës dhe Bayern Munich është i lumtur që e ka. Por në klubin bavarez mendojnë edhe për të ardhmen. Për këtë arsye gjigandët e futbollit gjerman janë gati të bëjnë ndoshta goditjen më të madhe në merkaton e dimrit.
Bëhet fjalë për Viktor Gyokres, sulmuesin suedez të Sporting Lisbonës, i cili kërkohet nga klubet më të mëdhenj të Europës, pasi mbylli vitin 2024 si realizuesi më i mirë me 62 gola.
Zbulimi I bujshëm në tregun e transferimeve është bërë nga mediat angleze, të cilat prej kohësh e kanë Gyokeres në faqet e para.
Kjo për shkak se sulmuesi suedez është gjithashtu objektivi numër një I Manchester United.
Të përditëshmet britanike paralajmërojnë “Djajtë e Kuq” për rrezikun që paraqet Bayern Munich, sipas tyre shumë pranë transferimit të futbollistit.
Bavarezët nuk duan të zgjaten shumë me tratativat, ndërsa për të mbyllur sa më shpejt marrëveshjen janë gati të paguajnë klauzolën për prishje të njëanshme të kontratës së Gyokeres me Sportig Lisbonë.
Flitet për 80 milion euro, një shifër më e ulët nga pretendimet e klubit portugez, që vlerëson sulmuesin të paktën 100 milion euro.
Transferimi i Viktor Gyokeres do të sillte te Bayern një “lum golash”, ndërsa një dyshe me Harry Kane do të ishte me të vërtetë e frikshme./abcnews.al