Bayern, ende pa blerje të mëdha

schedule17:59 - 20 Korrik, 2019

schedule 17:59 - 20 Korrik, 2019

Kritika të forta për Bajernin në Gjermani, pas dështimit për të marrë yjet. Bavarezët nuk kanë bërë ende blerje të mëdha këtë verë.

Kurrë nuk kanë shkëlqyer tek financat, por kanë fituar. Tek Bajerni, gjithsesi, vështirë se mund të vazhdohet gjatë kështu, dhe tifozët presin blerje të mëdha për të konkurruar gjigandët e Europës.

Largimi i Riberisë e Robenit, po ashtu ikja e Hames Rodrigezit apo e Mats Humelsit, dobësuan skuadrën kampione të Gjermanisë, e cila e tregoi pasigurinë e saj edhe kur u mund nga Arsenali i Londrës, në sfidën e parë të verës.

Natyrisht, nuk mund të quhet humbje e rëndë, edhe pse ndaj “topçinjve” nuk kishte ndodhur kurrë, por të plotfuqishmit e Bundesligës nuk treguan një imazh shumë të mirë.

Trajneri Niko Kovaç e ka të qartë se duhen përforcime, nëse duhen realizuar objektivat për të pretenduar seriozisht Champiosin. Kroati u lavdërua se e menaxhoi mirë skuadrën sezonin e kaluar, por këtë vit do të jetë edhe më keq, ndërsa në Europë të gjithë të mëdhenjtë po forcohen.

Gazeta “Bild” kritikon drejtuesit bavarezë, si presidentin Hënes apo drejtorin sportiv, Hasan Salihamixhiç, se po bisedojnë me shumë lojtarë, por nuk po arrijnë të marrin asnjë yll të rëndësishëm.

Në ekip kanë ardhur vetëm mbrojtësit Hernandez e Pavar, si dhe sulmuesi i ri Arp. Objektivi i madh mbetet Leroi Sane, lojtari ofensiv I krahut i Bundesligës, por që vështirë se do ta braktisë Mançester Sitin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!