Kur mori drejtimin e Bayern Munich, Vincent Kompany nuk u prit aspak mirë. Madje, ulja në pankinën e një skuadre si ajo bavareze e një trajneri pa eksperiencë u shoqërua me shumë kritika.
Por kur kanë kaluar vetëm 18 muaj, tekniku belg jo vetëm që ka bindur, por ka kaluar çdo pritshmëri, duke fituar besimin e tifozëve, skuadrës dhe mbi të gjitha klubit, që ka vendosur t’i rinovojë kontratën.
Bayern Munich zyrtarizoi zgjatjen e “martesës” me trajneri 39 vjeçar deri në qershor të 2029, pasi ajo e fundit skadonte në verën e vitit 2027.
“Jam mirënjohës, i nderuar. Falënderoj Bajern për besimin dhe mjedisin e punës që më kanë dhënë që nga dita e parë. Ndihem sikur kam qenë këtu për shumë më gjatë dhe se e njoh mirë klubin. Ka qenë një përvojë e shkëlqyer deri më tani. Kemi filluar një udhëtim të mrekullueshëm. Le të vazhdojmë të punojmë shumë dhe të festojmë shumë më tepër suksese”.
Rinovimi i kontratës është është mëse i merituar për Vincent Kompany, i cili që në sezonin e tij të parë me Bayern arriti të fitojë titullin kampion në Bundesliga.
Po ashtu, edhe ky sezon ka nisur në mënyrën më të mirë. Nën drejtimin e belgut bavarezët kanë 11 fitore në 11 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet./abcnews.al

