Bavari/ Sekuestrohet 1 ton kokainë, pranga 12 personave

schedule22:19 - 14 Maj, 2018

schedule 22:19 - 14 Maj, 2018

Policia bavareze në Gjermani ka sekuestruar të hënën thuajse një ton kokainë, në një operacion të finalizuar pas 8 muaj hetime. Sipas mediave gjermane, që citojnë burime pranë Ministrisë së Brendshme, gjatë operacionit janë arrestuar 12 anëtarë të një grupi kriminal, mes të cilëve flitet se ka edhe shtetas shqiptarë. Sipas burimeve, lënda narkotike ishte fshehur në kuti me banane. E përzierë sasia mund të shkonte deri në 1.8 ton dhe në treg do të kishte sjellë fitime deri në 400 milionë euro. Hetimet e agjentëve gjermanë të antidrogës nisën në shtator 2017, pas zbulimit të disa pakove të kokainës në disa tregje të Bavarisë, që në total arrinin në 180 kilogramë me vlerë 10 milionë euro. Gjatë procesit hetimor janë sekuestruar gjithashtu sasi të ndryshme kokaine në Hamburg dhe rajonin e Rehnit Verior Vestfalia, ka bërë të ditur një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme. Në qytetin dhe rajonin e Rozenhajmit tre tregje ishin kthyer në baza për magazinimin e drogës. Tre tregje të tjera në qytetin dhe rajonin e Pasaut, në Bavarinë e Poshtme, kishin patur të njëjtin fat. Edhe në Bavarinë e Sipërme, droga është zbuluar në tre lokalitetete. Të gjitha dyqanet i përkisnin së njëjtës kompani dhe policia ka hetuar filiale të ndryshme të saj, përfshirë dy magazina./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!