Stenio Junior dhe Valentino Murataj janë dy goditjet e Partizanit në merkato. Sulmuesi i majtë brazilian dhe mesfushori nga Fieri janë prezantuar nga klubi i kuq. Në fillim e mori fjalën drejtori i përgjithshëm i Partizanit. Olsi Rama foli rreth dy lojtarëve të rinj të ekipit të Ilir Dajës.
“Ja kur arritëm pas kaq kohësh të prezantojmë dy lojtarë të rinj te Partizani. Ka pasur shumë interes për merkaton, këto janë vetëm dy afrimet e para. Pas një pune shumë të mirë të bërë nga stafi, fillojmë me Murataj, një njohje e vjetër e Partizanit.
Është rritur në Akademinë e Partizanit, ka bërë shumë mirë te Ballshi dhe ishte një dëshirë e trajnerit Daja për të kthyer në familje një lojtarë të rritur këtu dhe për të shtuar kualitetin, cilësinë dhe agresivitetin e Partizanit. Ishte një marrëveshje e arritur me Bylisin. Jemi të kënaqur me këtë prurje.
Stenio Junior? Nuk po e them gjithë emrin e gjatë, sepse mbaron kampionati dhe nuk na del koha. Ka pasur një karrierë shumë të mirë te Shkëndija. Ka ndërhyrë, patjetër, edhe eksperienca e Pollozhanit te Shkëndija. Ne ishim zgjedhja e tij e parë, sepse kanë dalë barsoleta nëpër media që ka patur konkurrencë mes klubeve për të.
Jam shumë i lumtur që e kam në ekip, e kam parë kur luante te Shkëndija në kohën kur nuk isha pjesë e Partizanit. Shkëndija ka bërë historinë në Maqedoni. Junior i shtohet kolonisë braziliane që kemi në ekip, bashkë me Cardoson dhe Melon.
Merkato? Puna vazhdon, nuk ka gjë konkrete deri tani, ka vetëm bisedime dhe sa më shumë pamje filmike. Stafi po punon shumë bashkë me trajnerin Daja, janë zgjedhjet e tyre përpara se të jenë të miat. Bëj analizën në raport se çfarë stafi më jep dhe për pjesën financiare. Presim dhe elementë të tjerë, por është një punë në vazhdim. Nuk duam t’i lëmë gjërat për në 31 janar, ndeshjet vijojnë. Duam ta kemi ekipin sa më të përgatitur dhe sa më shpejt.
Më besoni, ka goxha interes edhe në këtë drejtim. Ka kërkesa nga disa ekipe për 3 lojtarët tanë. Primare është ecuria e Partizanit. Kemi rënë dakord me presidentin që do të bëjmë afrime përpara se të largojmë lojtarë. Deri tani nuk kemi pranuar asnjë ofertë, edhe pse janë oferta financiare që në këtë kohë të vështirë bëjnë mirë.
Në momentin që do identifikojmë elementë që mund të ketë edhe kosto, atëherë do bëjmë edhe sakrificat tona. Kemi një lehtësi këtë kampionat, kemi dhe Partizanin B. Mund të bëjmë afrime me kosto të ulët, me idenë që mund të bëhen pjesë e ekipit të parë nëse bëjnë mirë në Kategorinë e Parë. Çdo lojtar është i nevojshëm, asnjë nuk është i domosdoshëm, në fund të fundit fiton grupi. Në këtë moment do të bëjmë analizën në planin tekniko-taktik, jo vetëm në atë financiar.
Stenio kohë pa luajtur? Pyesni Dajën. Do i duhet pak kohë të hyjë në ritmin e garës. Nga të gjithë pikëpamjet është profesionist. Ka qenë profesionist dhe punëtor në gjithë karrierën e tij, nuk do ketë probleme të kapë formën. Mëllugja? Nuk ka zhvillime“, përfundon Olsi Rama. /abcnews.al

