Batha: Herët të mendojmë për derbin, me Vllazninë nuk shkoi diçka

schedule11:56 - 24 Nëntor, 2020

schedule 11:56 - 24 Nëntor, 2020

Tirana pret Bylisin nesër në “Selman Stërmasi” dhe objektivi i bardhebluve janë tre pikët. Para kësaj sfide, para mediave ka folur kapiteni Idriz Batha. Fillimisht duhet harruar ndeshja me Vllazninë, që kampionët në fuqi e humbën në minutat shtesë.

“Çdo ditë që kalon, me trajnerin e ri që kërkon të fusë idetë e tij në ekip është në favorin tonë. Mendoj dhe shpresoj që të mos përsërisim të njëjtat gabime që bëmë ndeshjen e fundit. Sa më shumë t’i afrohemi idesë së trajnerit, aq më mirë do të jetë për të gjithë.

Çfarë nuk shkoi në Shkodër? Kjo që sapo thashë. Mendoj që kishim pak ditë në dispozicion për t’u përshtatur me stilin e ri të lojës. Nuk bëmë një lojë brilante, por që kishim mundësitë tona për ta fituar ndeshjen”, u shpreh Batha fillimisht.

Më pas fokusi kaloi te Bylisi, si dhe u ngacmua për derbin e javës së gjashtë me Partizanin. “Bylis është një skuadër që ka treguar se është kockë e fortë për të gjithë ekipet. Është skuadër agresive, mendoj që do t’i marrim masat dhe shpresoj të bëhet lojë e bukur.

Derbi? Të jem i sinqertë nuk e mendoj derbin. Kemi 2 ndeshje finale para se të shkojmë te derbi. Në situatën që jemi, me pikët që kemi grumbulluar, nuk na lejohet ta kemi mendjen te derbi, por te ndeshjet e radhës”, përfundoi Batha. /abcnews.al