Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Shkodrës, Ilir Beqja deklaroi sonte në “ABC” përballë gazetares Jonida Shehu se dhuna në protestat e ditëve të fundit nga Tirana, Shkodër ku u bastis selia socialiste, por edhe në qytete të tjera ka qenë e parapërgatitur.
Ndalur te Shkodra, ai akuzoi kryebashkiaken Voltana Ademi, ndërsa mori edhe një shembull, pemën e Krishtlindjeve, që theksoi se vetëm në Shkodër nuk është cenuar, pasi e ka vendosur një bashki që drejtohet nga një e zgjedhur nga PD-ja.
Pjesë nga intervista e Ilir Beqajt
Po flisni nga selia e PS në Shkodër?
Po.
Si është ambienti pas sulmit?
Ne i kemi sistemuar që gjatë të shtunës deri vonë në mesnatë të gjitha dëmtimet. Ato orendi që janë djegur duan kohë të zëvendësohen, por jemi kthyer në funksionimin normal.
Ç’po ndodh realisht në Shkodër, pse policia nuk e mbrojti selinë e PS-së, a nuk kishit ju informacion për një skenar dhune?
Jo. Skenar dhune nuk kishim informacion. Mund të kishin organet kompetence po ne jo.
E keni fjalën për policinë?
Po. Kishte një njoftim që do të kishte një protestë. Në itinerarin e protestës ishte përfshirë edhe rruga ku është selia e PS-së. Ne kemi parë që për policinë janë thënë të gjitha, përse nuk mbron, pse sulmon, përse nuk lejon të protestojë. Kemi filluar të dëgjojmë se është filluar të përdoret gaz më shumë sesa duhet. Në krye të protestave për fat të keq janë keqpërdorur edhe fëmijët. Unë vetë jam sot, ndihem më mirë që kishim një godinë që iu dogjën shumë orendi, sesa të kishim një godinë të paprekur, por fëmijë të dëmtuar. Preferoj më shumë djegien e orendive sesa një gjak të derdhur.
Nënkuptoni se në Tiranë është tepruar me dhunën ndaj fëmijëve?
Godina të djegura ka pasur vetëm në Shkodër. Në Tiranë janë dëmtuar shumë elemente të jetës së përditshme. Tirana sot nuk kishte semafor. Sot në Tiranë nëse funksion shërbimi urban, pikat ku presin njerëzit nuk funksionojë. Ka pasur një skenar të parapërgatitur. Po të kthehemi te Shkodra unë besoj se ajo që ka ndodhur në Shkodër ka qenë e frymëzuar nga PD-ja. Në krye të protestës në Shkodër është kryetarja e bashkisë.
Ju keni prova, keni video, ndonjë material, që ajo e ka nxitur dhunën në Shkodër, apo ndonjë listë të militantëve që kanë marrë pjesë?
Emrat janë shpallur nga policia, janë drejtues të lartë të bashkisë Shkodër, që drejtohet nga PD dhe kryetare është zonja Ademi, që në përzgjedhjen e itinerarit nga selia e PS-së enkas je i prirur që të bësh një provokim. Aq më shumë që ishte vënë re një tendencë që protestuesit të dëmtonin godinat. Ka një specifikë për fat të mirë, i vetmi qytet ku pema e Krishtlindjes nuk është dëmtuar është në Shkodër, se këtu është vendosur nga bashkia e PD. Pra nuk është më zemërim, po të ishin zemëruar digjnin pemën pavarësisht ngjyrës. Në 30 vite asnjëherë nuk janë cënuar selitë e partive politike përveç raste kur janë nxitur në mënyrë të qëllimshme.
Protestuesit duan shkarkimin e drejtorit të policisë së shtetit, çfarë mendoni?
Mbajtja e drejtorit të policisë në detyrë nuk është çështje e partisë politike, partia mbështet kabinetin, ministrat dhe zv/ ministrat. Lidhur me protestuesit, ata që po djegin janë 10-12 vjeç, përdoren fëmijë. Në një protestë ai që e organizon i del për zot.
Keni parasysh kohën kur ishit në opozitë, 21 janarin?
Në 21 janar ne protestuam dhe u vramë. Që në fillim të javës pa qenë çështje diskutimi, vetë Sali Berisha filloi të evokonte 21 janarin, filloi të tregonte sa krenar ishte që vrau 4 vite dhe sa i pezmatuar ishte që nuk vrau më shumë përfshirë Edi Ramën.
db/Abcnews.al