Prej disa muajsh, pronari i kripotmonedhës turke, Faruk Fatih Ozer thuhet se fshihet në Shqipëri pas arratisjes në muajin prill. Së fundmi autoritetet kanë bastisur banesën ku jetonte Ozer në Bayramoğlu.
Pavarësisht kontrolleve të imtësishme në banesën e Ozer, sipas autoriteteve asgjë me vlerë që mund të ndihmonte hetimet nuk u gjet. Ndërkohë autoritetet turke po punojnë për konfiskimin e çdo pasurie që Ozer ka në Turqi, deri në kapjen e tij dhe sqarimin e rrethanave për të cilat akuzohet.
27-vjeçari Ozer është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore turke dhe nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lyon pasi rezulton i dyshuar për mashtrim në shtetin turk nëpërmjet valutës elektronike bitcoin që kap vlerën rreth 2 miliardë dollar.
Ndër të tjera në kuadër të informacioneve mësohet se Faruk Ozer rezulton të jetë futur në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të këtij viti, ndërkohë që kanë dalë dhe pamje filmike nga momenti kur ai është akomoduar në një prej hoteleve të kryeqytetit, nga një shtetas shqiptar, i cili ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të veprës penale që kishte kryer biznesmeni turk.
Ndërkohë përmes një postimi në Tëitter Ozer mohoi akuzat, ku theksonte se kompania ishte në shënjestër të një fushate shpifjesh. Sipas tij, kompania pezulloi përkohësisht aktivitetin, pasi llogaritë treguan një aktivitet të pazakontë për shkak të një sulmi kibernetik. e.l/abcnews.al/