Basti i Shkëndijës, firmos me një sulmues me pasaportë portugeze

schedule10:57 - 8 Janar, 2020

schedule 10:57 - 8 Janar, 2020

Shkëndija ka zyrtarizuar një tjetër afrim dhe bëhet fjalë për nëj sulmues anësor, i cili lë Portugalinë dhe do të luajë me tetovarët në vazhdim. Klubi kuqezi ka dalë me njoftim dhe raporton se Aldair Sapalo Amaro Neto është testuar në dhjetor dhe i është ofruar kontratë për 6 muaj fillimisht.

“KF Shkëndija konfirmon angazhimin e sulmuesit të krahut, Aldair Sapalo Amaro Neto. Bëhet fjalë për lojtar 25-vjeçar me pasaportë portugeze, i cili me kuqezinjtë ka firmosur kontratë bashkëpunimi për 6 muajt e ardhshëm, me opsion edhe për dy vite tjera, varësisht prej performansës së futbollistit në gjysmësezonin pranverorë.

Aldair Neto ishte pjesë e kampit një javor të organizuar nga KF Shkëndija në dhjetor të vitit të kaluar, menjëherë pas përfundimit të gjysmësezonit vjeshtor. Nga 29 futbollistë të grumbulluar, Neto bëri diferencën dhe si rezultat i paraqitjes u përzgjodh nga klubi për t’u bashkuar me skuadrën.

“Është nder për mua dhe shpresoj të paraqitem mirë këtu. Besoj në gjëra pozitive dhe për këtë dua të falëmenderoj klubin dhe presidencën për besimin e shfaqur ndaj meje. Isha këtu në prova për një javë. Kam ushtruar dhe luajtur me lojtarë të rinj, 18-20 vjeç. Gjërat shkuan mirë dhe ja ku jam.

Mua më pëlqen mënyra si luan skuadra, e di se bëhet fjalë për klub të madh. Ditën e parë që kam ardhur në Maqedoni kam ndjekur ndeshjen kundër Vardarit dhe kam parë se kemi ekip shumë të mirë. Mendoj se kjo do të jetë një sfidë e vërtetë për mua”, shprehet Neto për faqen zyrtare të klubit.

25 vjeçari vjen nga kampionati i Uellsit ku u paraqit me Bagor City. Në fillimet e tij në vitin e fundit si junior ka qenë pjesë e gjigantit portugez, Braga, për të vazhduar më tej te Fatima dhe katër vite me Maritimo. Aldair Neto bëhet angazhimi i tretë i janarit te Shkëndija, pas Ardin Dallkut dhe Valon Ahmedit”, përfundon njoftimi i Shkëndijës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!