“Bashkohuni me Rusinë”, serbët në veri të Kosovës dalin në mbështetje të rusëve

schedule18:58 - 6 Mars, 2022

schedule 18:58 - 6 Mars, 2022

Një grup serbësh kanë protestuar në  veri të Mitrovicës në mbështetje të popullit rus, për të cilin thanë se “po persekutohet” jashtë Rusisë.

Ata u bënë thirrje rusëve dhe ukrainasve që “të gjejnë një zgjidhje të përbashkët dhe të bashkohen kundër Perëndimit”.

Siç raporton media në gjuhën serbe “KoSSev” , ata thonë se duan të dërgojnë mesazhe paqeje, pa përkrahur vrasje dhe aksione luftarake. Por, përkrahja e këtij tubimi, ishte pro popullit rus.

Njëri nga protestuesit, Nebojsha Joviç, tha se “Sot ne po përcjellim një mesazh mbështetjeje për popullin rus – vëllezërit tanë rusë, ju nuk jeni vetëm, ne jemi me ju dhe do të jemi me ju. Ne po u themi atyre se serbët e Kosovës e duan popullin e tyre vëlla rus”, tha Joviç.

Ai tha se dëshiron t’iu dërgojë një mesazh tjetër ukrainasve, duke i ftuar të bashkohen me rusët.

“Ne lutemi që bashkimi ruso-ukrainas të vijë sa më shpejt që të jetë e mundur, që nazistët të neutralizohen, eliminohen dhe që paqja të kthehet në shtëpitë e Ukrainës dhe Rusisë”, tha ai.

“Askush nga ne nuk dëshiron luftë, vetëm të sëmurët duan luftë”.

Ditë më parë, në Beograd është mbajtur një marsh në përkrahje të Rusisë me fotografi të Putinit dhe flamuj rusë e serbë. Qëndrimi zyrtar i Serbisë ishte se “e përkrah sovranitetin territorial të Ukrainës”, por megjithatë nuk iu bashkua shteteve perëndimore për t’ vendosur sanksione Rusisë. /Gazeta Express/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!