Parlamenti Evropian miratoi sot një projektligj që synon të mbrojë lirinë e medias në Bashkimin Evropian. Akti Evropian për Lirinë e Medias përcakton garanci ligjore në mbarë BE-në për pavarësinë editoriale dhe mbrojtjen e burimeve gazetareske.
Ai gjithashtu kërkon që rregullatorët të monitorojnë tregun mediatik.
Platformat e mëdha në internet si Google, X – e njohur më parë si Twitter dhe Facebook do të duhet gjithashtu t’u japin organizatave mediatike me mirëbesim deri në 24 orë njoftim dhe të drejtën e përgjigjes përpara se të censurojnë përmbajtjen e tyre.
Organizatat mediatike duhet të regjistrohen paraprakisht për të përfituar nga projektligji.
Ligji u hartua në përgjigje të shqetësimeve për lirinë e medias në vende të tilla si Hungaria dhe Polonia. Megjithatë, zbatimi është kryesisht një çështje e shteteve anëtare individuale.
Ligji ngjalli disa polemika në Gjermani sepse sipas kushtetutës federale të vendit, rregullimi i medias është përgjithësisht një çështje e 16 shteteve të saj federale dhe jo e qeverisë federale, aq më pak e BE-së.
Gjithashtu, Gjermania dhe disa vende të tjera ngritën shqetësimin se legjislacioni do të hapte derën për më shumë përfshirje të BE-së në çështje që tradicionalisht u lihet vendeve anëtare.
Megjithatë, vendet anëtare të BE-së pritet të japin miratimin e tyre përfundimtar për Aktin Evropian të Lirisë së Medias gjatë një takimi të planifikuar në pranverë