Bashkimi Evropian kërkon bashkëpunëtorë në Ballkan, jo anëtarë

schedule11:31 - 5 Shkurt, 2022

schedule 11:31 - 5 Shkurt, 2022

Nga Stefan Antic “National Interest”

Gjatë dekadës së fundit Evropës i është dashur të përballet me recesionet ekonomike, një krizë të migracionit, si dhe me efektet e vazhdueshme të pandemisë globale. Nën këtë presion që i është shtuar problemeve demografike të vjetra, tani Bashkimi Evropian po rishqyrton procesin e tij të zgjerimit.

Përvojat e fundit të bllokut, të kombinuara me më shumë se një dekadë pasigurie në rritje, duket se i kanë bindur politikë-bërësit evropianë që të mos e zgjerojnë bllokun në Ballkanin Perëndimor. Kjo qasje po bëhet gjithnjë e më e dukshme në narrativën zyrtare të Brukselit. Kjo çështje, e cila ka qenë gjithnjë një temë e diskutueshme midis anëtarëve themeltarë të BE-së, është bërë më e fokusuar tek identitetet.

Publiku evropian është i acaruar me idenë e zgjerimit të BE-së, dhe qasja ndaj Ballkanit në veçanti, nuk ka qenë pozitive vitet e fundit. Ç’është më e keqja, ajo nuk po tregon asnjë shenjë përmirësimi. Në vitin 2019, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se “BE bëri një gabim kolektiv kur e shpalli anëtarësimin në bllok si marrëdhënien tonë të vetme me Ballkanin Perëndimor”.

Menjëherë pas këtij qëndrimi, BE doli me nismën e Francës me një metodologji të rishikuar të zgjerimit për vendet që kërkojnë të anëtarësohen. Ajo i lejon kandidatët që pas mbylljes ë kapitujve përkatës në negociata,të kenë përfitime financiare njëlloj si vendet anëtare në ato fusha specifike.

Por në rast se kandidatët do të përparojnë në çdo moment në këtë proces, të njëjtat do të ishin edhe detyrimet dhe stimujt që e shoqërojnë. Ndoshta më e rëndësishmja:sistemi i ri përfshin mundësinë që nëse nuk ndërmerren reformat e kërkuara, atëherë kandidatët nuk do të përparojnë dot kurrë përtej një pragu të caktuar, duke mos u bërë kështu anëtarë të plotë të BE-së.

Të lëna me këtë gjendje, vendet e Ballkanit do të bëheshin pjesë e asaj që mund të konsiderohet si vizioni strategjik i ri i BE-së:në vend se të bëhen vende anëtare, ato do të

jenë një grup shtetesh të asociuara me BE-në. Por çfarë nënkupton të qenit shtet i asociuar?

Për të parafrazuar Winston Churchill, që shprehej në mënyrë të ngjashme sa i përket marrëdhëniet të Britanisë së Madhe me Evropën:këto shtete janë “me Evropën, por jo me të”.

Pra ato do të përfitojnë nga avantazhet themelore të të qenit në bllok, por nuk do të kishin qasje në një pjesë më të madhe të përfitimeve që gëzojnë “anëtarët më të vjetër” të BE-së. Por jo gjithçka është e zymtë për shtetet me këtë status. Përkundrazi,shtetet e asociuara mund të gëzojnë ende një sasi të vogël stabiliteti që buron nga kjo lidhje me bllokun.

Jashtë sferës së lirisë së lëvizjes në BE, shtetet e asociuara ballkanike mund të fitojnë një kohë të çmuar për të ngadalësuar-dhe pse jo edhe për ndalur në mënyrë përfundimtare – rënien e tyre të madhe demografike, duke u dhënë atyre mundësi të hartojnë, miratojnë dhe zbatojnë politika të reja në përgjigje të këtyre tendencave shqetësuese.

Po kështu, shtetet e asociuara nuk do të kufizoheshin vetëm në arritjen e suksesit ekonomik, por do të përfitonin nga lëvizshmëria më e madhe e kapitalit, investimet,madje edhe projektet e mëdha infrastrukturore që nxisin rritjen. Në fushën e sigurisë, do të reduktohej ndjeshëm rreziku i përshkallëzimit të armiqësive me çdo palë ndërluftuese të brendshme apo të jashtme.

Në lidhje me këtë të fundit, shtetet e shqetësuara për ndikimin rus në rajon, do të merrnin frymë të lehtësuara, pasi këto degë të reja të BE-së do të përfshiheshin tërësisht nga NATO. Për aktorët, përvoja e të cilëve me Moskën ka qenë relativisht më e këndshme, si Serbia dhe Republika Srpska në Bosnje, kjo mund të përcaktojë fundin e traditës së gjatë të etiketimit si “ngatërrestarët”kryesorë të rajonit nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Sa i përket armiqësive të brendshme, një asocim i ndërsjellë me NATO-n do të reduktonte ndjeshëm rrezikun e konflikteve. Për shembull, ka të ngjarë që qeveritë në Beograd dhe Prishtinë të detyrohen ta zgjidhin mosmarrëveshjen e vazhdueshme rreth Kosovës.

Në frontin më të gjerë të gjeopolitikës, atashimi me Perëndimin do të largonte çdo dyshim

të mbetur në lidhje me aftësinë e këtyre shteteve për të ruajtur balancat midis fuqive të mëdha aktuale të botës. Por në të njëjtën kohë, mund të ndryshojë dukshëm edhe strategjia ekonomike e shteteve të veçanta.

Tek e fundit, duke qenë se shtetet e asociuara nuk do të ishin pjesë në BE si anëtare me të drejta të plota, ato do të gëzonin më shumë liri veprimi në tregtinë dhe investimet e jashtme. Duke mos pasur asgjë për t’i lidhur ato me politikat e tregut të përbashkët të BE-së ndaj aktorëve të tretë, shtetet e asociuara mund të shfrytëzojnë këtë mungesë të rregulloreve detyruese për të ruajtur një shkallë të pavarësisë ekonomike.

Dhe këtu mund të përfshihet gjithçka, nga marrëveshjet individuale, të orientuara nga fitimi, deri tek krijimi i partneriteteve dhe marrëveshjeve tregtare me shtetet jo-anëtare të BE-së.Për momentin, Serbia është e vetmja kandidate e BE-së në Ballkan që përfiton plotësisht nga ky pozicion.

Ndërsa “pret” anëtarësimin në BE, Beogradi ka nënshkruar marrëveshje partneriteti strategjik jo vetëm me anëtarët themeltarë të BE-së si Franca dhe Italia, por edhe me shtete të mëdha që nuk i përkasin BE-së si Kina, Rusia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Azerbajxhani.

Krahas thellimit të bashkëpunimit me këto vende në fushën e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe një morie çështjesh të tjera, Serbia i ka zgjeruar marrëveshjet e saj të tregtisë së lirë shumë përtej bllokut ku aspiron të bashkohet. Tani që është e aftë të hyjë në një treg të përbashkët prej më shumë se 1 miliardë njerëzish, Serbia do të përpiqet me siguri që ta ruajë këtë avantazh konkurrues në tërheqjen e investimeve.

Për sa kohë që shtetet e Ballkanit nuk po konsiderohen seriozisht si anëtare të mundshme, nuk ka arsye që këto lloj angazhimesh të etiketohen si një “lojë e keqe”.Gjithsesi, ka një kufi se si mund të përfitojnë shtetet e asociuara nga masa të tilla. Një dëshirë e fortë për pasjen e mundësive më të mëdha ekonomike, fton në mënyrë të pashmangshme ardhjen e investimeve nga vendet jo anëtare të BE-së.

Dhe me gjeopolitikën bashkëkohore duket se jo të gjitha investime mbeten thjesht të natyrës tregtare. Përveç ndjekjes së mundësive të favorshme financiare, aktorët e huaj mund të përfitojnë nga situata për të projektuar ndikimin e tyre kulturor dhe gjeopolitik brenda Ballkanit.

Kjo ka gjasa të pengojë aftësinë e shteteve të asociuara për të “fluturuar nën radarin” e klientëve të tyre në BE. Pasi të kuptojnë rreziqet e ndërhyrjes së huaj, udhëheqësit e BE-së mund të lëvizin për të kufizuar angazhime të tilla,dhe ta bëjnë këtë me një bollëk mjetesh që kanë në dispozicion.

Por vetë BE-ja ka hequr dorë nga përpjekjet për ta rimodeluar Ballkanin pas vetes. Ajo

mund të shqetësohet në parim për stabilitetin brenda Ballkanit, së bashku me lidhjet e saj ekonomike me rajonin, por është e gatshme të tolerojë praktika thellësisht autokratike në rajon në këmbim të zgjidhjeve të realizueshme.

Kështu Brukseli ka mbyllur njërin sy ndaj brutalitetit në rritje të regjimit të Aleksandar Vucic, që po vazhdon të gërryej strukturën e shoqërisë serbe. Një shembull i tillë tregon se, kur flitet për shtetet e asociuara, demokracia vendoset në planin e dytë.

Sfida kryesore për shtetet e asociuara nuk është presioni nga fuqitë e mëdha, me të cilin ato do të përballeshin në mënyrë të pashmangshme, por mungesa e opsioneve në kërkimin e zgjidhjeve të realizueshme që mund të ndikojë në jetën e përditshme të qytetarëve të tyre./abcnews.al

Marrë me shkurtime…

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!