Bashkimi Europian nuk do të njohë talebanët si qeverinë e re të Afganistanit. Shefi i Punëve të Jashtme të BE Josep Borrell tha se çdo angazhim do t’i nënshtrohej kushteve të rrepta dhe do të ishte vetëm për të mbështetur popullin afgan.
Uashingtoni ka marrë një qëndrim të ngjashëm, por Rusia dhe Kina kanë treguar një qëndrim më të butë, shkruan BBC, përcjell abcnews.al.
BE-ja tha gjithashtu se synonte të koordinonte kontaktet e saj me talebanët përmes një pranie të përbashkët të BE-së në Kabul për të mbikëqyrur evakuimet dhe për të siguruar që një qeveri e re afgane të përmbushë angazhimet për çështjet përfshirë sigurinë dhe të drejtat e njeriut.
“Ne kemi vendosur të punojmë në një mënyrë të koordinuar, nëse plotësohen kushtet e sigurisë,” tha Borell në një takim të ministrave të jashtëm të bllokut në Slloveni. g.v/abcnews.al