Bashkia e Tiranës do të rifuqizojë programin e banesave sociale.
Për të realizuar këtë bashkia më e madhe e vendit firmosi një grant prej 2 milionë eurosh me Bankën Evropiane të Investimeve. Drejtuesi i këtij institucioni, Matteo Rivellini tha se Tirana u përzgjodh e para ndër qytetet e tjera të Ballkanit për marrëveshjen e financimit të këtij projekti social.
“Është një nder të jem këtu, së bashku me Kryebashkiakun Veliaj, dhe të firmosim këtë marrëveshje të madhe. EIB Global ka siguruar 2 milionë euro për asistencë teknike për Bashkinë e Tiranës, që do të përdoren për projektin e parë që do suportojë banesat sociale në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi jashtëzakonisht krenarë për këtë. Është një sipërmarrje e re për të cilën po presim të angazhohemi sa më shpejt së bashku”, tha Matteo Rivellini.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha më shumë detatje për projektin në fjalë.
“Sot ne kemi firmosur një grant të parë prej 2 milionë eurosh, që do të bëjë të gjithë studimin e nevojave që ne kemi për strehimin social, hapësirave që do t’i dedikojmë dhe mënyrës se si do ta planifikojmë në vitet e ardhshme, për të ndjekur hapat e rritjes së Tiranës. Kanë qenë dy vjet bisedime dhe negociata dhe ju falënderoj shumë që zgjodhët Tiranën. E di që në Ballkan ka plot qytete të tjera që gjithashtu, punojnë, duan të ecin përpara, po faleminderit që na dhatë besimin”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës sqaroi se Bashkia do të vijojë edhe me kreditë e buta duke shtuar se kjo është një zgjidhje për mijëra familje.