Bashkia e Tiranës shemb “Tregun Elektrik”, tregtarët: Të na thonë ku do shkojmë, do vritemi me njëri-tjetrin

schedule10:44 - 30 Janar, 2020

schedule 10:44 - 30 Janar, 2020

Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, tregtarët e “Tregut Elektrik” kanë dalë në protestë para Bashkisë së Tiranës pasi janë kundër projektit për shembjen e tregut elektrik në zonën e “Ali Demit.”

Sipas tyre bashkia nuk i ka njoftuar se ku do të zhvendosen bizneset e tyre pas shembjes.

ABC News përmes gazetares Ajgena Korbi ka mësuar se tregtarët kanë marrë urdhër që të lirojnë paraditen e sotme tregun, pasi në orët në vijim fadromat do të fillojë punën për shembjen e godinave.

Shqetësimi i këtyre tregtarëve është se nuk kanë ende një përgjigje se ku duhet të zhvendosen aktivitetin e tyre për këtë arsye janë mbledhur përpara Bashkisë së Tiranës .

Një prej tregtarëve tha për ABC News:

“Ushtroj aktivitetin tim prej 20 vitesh në këtë treg, është treg i licencuar, është me vendim të këshillit bashkiak, nuk është treg informal, të gjithë paguajnë detyrimet. Përpara 3 ditësh na erdhi një shkresë nga IKMT se duhet të lirojmë tregun, përveç kësaj në shkresë thuhej se nëse duam të vazhdojmë këtë veprimtari duhet të zhvendosemi te një nga pronat e bashkisë te Uzina e auto-traktorëve. Ne nuk jemi kundër zhvillimit të zonës, por shkresën për njoftimin se duhet të lëvizim e kanë marrë rreth 80 vetë. Por problemi qëndron se në tregun e Shkozës ka rreth 70 apo 80 vende që do të thotë se për një vend atje ne duhet të zihemi apo vritemi 3 vetë për 1 vend sepse aq vende ka atje. I kemi bërë peticion bashkisë me gjithë emrat e tregtarëve. Ne kërkojmë të na vihet një vend në dispozicion”.

Në rrugën “Ali Demi” aty ku ndodhet tregu elektrik, një pjesë e tregtarëve po heqin bizneset e tyre, ku do ti lënë vend projektit të Bashkisë së Tiranës.

Për shkak të zhvillimit të zonës, një shkresë i është dërguar qytetarëve, në 20 dhjetor 2019 e firmosur nga kryetari Erion Veliaj, se për shkak të zhvillimit të zonës do të duheshin që tregtarët duhet të zhvendosen prej këtej.

Tregtarët thanë se shkresa nuk u ka shkuar të gjithëve por vetëm një pjesë të tyre.

Gjithsesi një pjesë e tregtarëve po zhvendosin mallin, ndërkohë një pjesë e tyre po protestojnë përpara bashkisë dhe kanë kërkuar të takojnë kryetarin Erion Veliaj.

Tregtarët kanë njoftuar se afati i lënë nga Bashkia ka përfunduar sot, dhe ndërkohë Bashkia ka ndërmarrë veprimet për të rehabilituar këtë zonë.

Sipas dokumentit të Bashkisë thuhet se banorët do të duhet të zhvendosen në tregun e Shkozës.

Mbetet për tu parë se si do të rregullohen të gjithë tregtarët të cilët duhet të zhvillojnë aktivitetin e tyre edhe psae pakënaqësia e tyre është e madhe./abcnews.al