Kartën e Studentit tashmë e zotërojnë rreth 21 mijë studentë në universitetet në Tiranë. Përveç shërbimeve publike dhe private me kosto të ulët ata do të përfiojnë dhe tarifa të reduktuara deri në zero nga shërbimet bankare. Bashkia ka nisur nënshkrimin e marrëveshjeve me bankat e nivelit të dytë.
Të rinjtë që zotërojnë një kartë studenti, do të fitojnë tarifa të reduktuara deri në zero lekë dhe për shërbimet bankare. Marrëveshja e nënshkruar mes Bashkisë së Tiranës dhe përfaqësuesesve të Bankës Credins është nga nismat e para. Shumë shpejt do të ndiqet dhe nga të tjera banka që operojnë në tregun shqiptar.
“Në 3 muaj kemi bërë më shumë se në 30 vjet. Jam i lumtur që 1/3 e studentëve, rreth 21 mijë, tashmë e kanë marrë kartën. Përveç kartës fizike, kanë marrë edhe aplikacionin online, që e bën akoma më të lehtë përdorimin e saj. Madje, disa nga lajmet e gëzuara të kësaj vere kanë qenë shumë studentë që kanë udhëtuar jashtë, të cilët duke treguar kartën e studentit në Greqi, në Itali apo vende të tjera fqinjë, kanë marrë shërbime të reduktuara edhe pse nuk janë studentë të atij vendi”
Deri më tani sipas kryebashkiakut Veliaj është bërë i munduar bashkëpunimi me ente publike dhe private të cilat ofrojnë rreth 170 shërbime me tarifa të reduktuara ose pa pagesë.
“Kur ka vullnet dhe dëshirë për të zgjidhur problematika të mbartura ndër vite, ka gjithmonë një rrugëdalje, një mënyrë për t’i bërë gjërat. Ajo që ishte një habi e jashtëzakonshme është se sa shumë është përqafuar karta studentore nga sipërmarrjet dhe kompanitë private në qytetin e Tiranës.”
Rreth shërbimeve falas apo me kosto të reduktuar studentet mund t’i mësojnë dhe duke klikuar në faqen kartaestudentit.al. /abcnews.al