Një qendër e re sociale do të jetë e hapur për personat në situatë rrugë në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës e inauguroi bashkë me ambasadorin e Italisë në vendin tonë. Veliaj u bëri thirrje qyetarëve të njoftojnë bashkinë ose policinë nëse shohin dikë në vështirësi këto ditë të ftohta.
Këto ditë të ftohta personat në situatë rruge kanë një strehëz të re. Bashkia e Tiranës me mbështetjen e Komitetit Drejtues të Projekteve IADSA ka çelur një qendër për t’u ofruar ndihmën këtyre personave. Kryebashkiaku Erion Veliaj, mjediset i vizitoi bashkë me ambasadorin e Italisë, Aberto Cutillo.
“Këtu në Shkozë, në stacionin e fundit të autobusit, ngjitur me banesat sociale, kemi hapur këtë qendër e cila ka hapësira të mjaftueshme për të bërë dush, për t’u ushqyer e për t’u veshur. Asnjëherë nuk i dihet si vjen jeta, për shumë njerëz që sot janë situatë rruge; dikush mund të ketë qenë i burgosur, si Abazi, 30 vite burg në Spaç në komunizëm; dikush tjetër mund të ketë humbur gjithë pasurinë e tij në firmat piramidale; dikush mund të jetë kthyer nga emigracioni pa asnjë njeri dhe pa asnjë dyshkë në xhep. Ndaj, unë besoj se kjo qendër jo vetëm zgjidh nevojat fizike, por ka edhe sociologë, ka edhe psikologë, mjek, infermierë, të cilët në mos t’i zgjidhin vetë, mund t’i adresojnë spitalin më të afërt”, tha Veliaj.
kryetari i bashkisë gjithashtu u kërkoi drejtuesve të institucioneve arsimore që të lajmërojnë në kohë për çdo nevojë që mund të kenë.
“Apeli për administratorët e shkollave në Tiranë është: Tregohuni profesionistë! Ne po i përgjigjemi situatave emergjente, ama i gjithë inkurajimi im për sot është që administratorët e shkollave ta njoftojnë bashkinë mundësisht një natë përpara, nëse kanë nevoja të nesërmen për karburant, pelet, apo çfarëdolloj nevoje tjetër me kaldajat. Megjithatë, besoj se më e keqja ka kaluar. Do sigurohemi që edhe këto dy-tre ditë të të ftohtit, të jemi në krye të detyrës”, u shpreh ai.
Ndërkohë për të mos pasur probleme me qarkullimin e mjeteve, bashkia ka nisur të hedhë kripë dhe skorje në rrugët e zonave rurale./abcnews.al