Bashkëshortet e luftëtarëve të ISIS dënohen me vdekje

schedule19:29 - 23 Maj, 2018

schedule 19:29 - 23 Maj, 2018

Gjykata irakiane në Baghdad ka dënuar me vdekje 40 bashkëshorte të luftëtarëve të ISIS, pjesa më e madhe e të cilave nga Europa. Ato kishin vetëm dhjetë minuta kohë për t’u mbrojtur, ndërsa s’dihet se çfarë do të ndodhë me fëmijët e tyre.

Vetëm dhjetë minuta për t’u mbrojtur dhe më pas dënimi me vdekje. Një gjykatë në Baghdad ka dënuar me vdekje, me anë të një vendimi të cilësuar si shumë të nxituar nga mediat, për 40 bashkëshorte të luftëtarëve të ISIS. Shumë të tjera po vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm. Nëse nga njëra anë është i qartë synimi për të dënuar anëtarët e Kalifatit, nga ana tjetër pyetja është se me kë do të qëndrojnë fëmijët e tyre.

Një nga të dënuarat, sipas asaj që shkruan The Guardian, deklaroi para gjykatës se ishte dërguar në Siri pesë vjet më parë me prindërit e saj, dhe e kishin martuar me një shtetas turk. Pas lindjes së vajzës ata kishin shkuar të jetonin në Irak, ku ajo kishte mbetur e ve. Gruaja i premtoi gjykatës se nëse do e lejonin të kthehej në vendin e saj atëherë nuk do të mbante më shami dhe pse ISIS ishte treguar i mirë me të duke e mësuar se duhej të mbulohej. Pavarësisht dënimit asnjë nga gratë nuk ka pranuar të flasë keq për ISIS.

40 të dënuarat ishin pothuajse të gjitha nga Europa, Turqia apo Azia. Vende nga të cilat u arratisën për t’iu bashkuar ISIS, nga ambasadat përkatëse asnjeri nuk u shfaq për t’i përfaqësuar.

Një 29-vjeçare franceze, e cila ishte ndër të dënuarat me vdekje, i kërkoi gjykatës ta linte të lirë dhe të kthehej me vajzën e saj në Francë, dhe në këmbim të parave madje. Kur iu bashkua ISIS në Irak, bashkëshorti dhe djali i saj mbetën të vrarë.

Janë rreth 40 mijë luftëtarë të huaj që nga 110 vende të ndryshme të botës janë mbledhur në Irak. Ata që ishin të martuar i morën bashkëshortet me vete, ndërsa të tjerat erdhën më vonë. Ushtria irakiane ka arrestuar më shumë se një mijë prej këtyre grave, por ato nuk ishin vetëm. Nga këto martesa kanë lindur 820 fëmijë. Fëmijë të cilëve nuk u dihet fati pasi nënat e tyre kishin vetëm dhjetë minuta kohë për të folur dhe askush nuk u shpjegoi atyre se çfarë do të ndodhë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!