“Bashkëqeverisja do kalojë në Kuvend”, Rama: Sanksione financiare për ata që s’u përgjigjen

schedule15:35 - 17 Dhjetor, 2021

schedule 15:35 - 17 Dhjetor, 2021

Turin e bashkëbisedimeve për Ligjin e Ri të Bashkëqeverisjes kryeministri Edi Rama e ka zhvendosur në Lezhë, nga ku paralajmëroi se do të ketë sanksione për të gjithë përgjegjësit e sektorëve përkatës që nuk u përgjigjen qytetarëve ose që nuk iu zgjidhin problemet. Rama nënvizoi se janë mbi 1200 shërbime të cilat do të marren online pa pasur nevojën e prezencës fizike.

Pavarësisht se presidenti Ilir Meta e ka rikthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin, duke argumentuar se shkel Kushtetutën dhe autonominë e pushtetit vendor si dhe centralizon më shumë pushtet tek një agjenci në varësi direkte të kryeministrit, Rama tha se do të votohet sërish.

“Në vendin tonë sidomos në periudhën e tranziconit ka qenë i karakterizuar nga përplasja e ankesave të njerëzve në vesh të shurdhër. Letrat që merrnin institucionet nga njerëzit në rastin më të keq si lexonte njeri. Në tërësi problemet mbeteshin në kurriz të njerëzve. Çdo anëtar i qeverisë të vihej në dijeni për çdo ankesë që lidhet me institucionet e varësisë, kjo bëri që një numër shumë  i konsiderueshëm ankesash të merrnin përgjigje dhe zgjidhje. Me fillimin  e mandatit të 3 kemi bërë kalimin në një nivel tjetër të kësaj platforme dhe të gjithë konceptit të bashkëqeverisjes, duke  e kthyer në një ligj. Ligji është kthyer mbrapsht me arsyet që të gjithë jemi mësuar të zyrës së presidencës. Do votohet përsëri. Kjo do bëjë që marrëdhënia me qytetarin të jetë e ligjëruar për të trajtuar çdo ankesë të qytetarëve për  ti dhënë drejtim.

Në ligjin e ri jo vetëm që sanksionohen të gjitha detyrimet e qeverisë pushtetit ekzekutiv dhe bashkive për tu dhënë përgjigje në kohë reale dhe për tu zgjidhur problemet ku e drejta është në krahun e qytetarëve, por ligji ka dhe një mekanizëm tjetër sanksione financiare për ata që janë përgjegjës për mospërgjigjen apo moszgjidhjen e problemit të qytetarëve. Siç ndodhi me lejet në periudhën e karantinës ku të gjithë shqiptarët e shfrytëzuan e- albania… Nëse s’do ishte ajo platformë faktikisht do ishte një katastrofë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se duke nisur nga viti 2022 nuk do të ketë më sportele të hapura e të gjitha shërbimet do të kryhen nëpërmjet platformave online. Ligji “Për Bashkëqeverisjen” u miratua vetëm me votat e mazhorancës me kundërshtimin e opozitës. Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje që do të funksionojë në bazë të këtij ligji nën varësinë e Kryeministrit merr kompetenca për të kontrolluar punën në administratën qendrore dhe asaj vendore dhe çdo institucioni tjetër publik, për të cilët ankohen qytetarët dhe mund të ndërmarrë masa administrative ndaj tyre. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!