Eksperti për çëshjet e punësimit, Erion Muça thotë se bashkëpunimi mes universiteteve dhe sipërmarrjeve është jetik. Në një intervistë për “Money Report”, eksperti theksoi se universitetet duhet të prodhojnë profesionistë dhe të forcojnë bashkëpunimin me sipërmarrjet.
Nga ana tjetër, ai shprehet se edhe industria duhet të jetë korrekte me standartet dhe mënyrën se si trajton punonjësit jo vetëm në nivelin e pagës.
“Rëndësia mes sipërmarrjes dhe universitetet është jetike për të kombinuar jo vetëm angazhimin dhe aktivitetet por dhe për të përputhur dhe kurrikulat bazuar në nevojat specifike që ka një sipërmarrje për një profesion të caktuar në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e një profili dhe pozicioni pune, për të cilin ka nevojë një biznes.
Tanimë vetëm vitet e fundit kemi vigjilencë dhe interes të shtuar të universiteteve drejt sipërmarrjes dhe anasjelltas duke bërë që ky bashkëpunim të jetë më i konsoliduar sepse jemi në një situatë të vështirë ku sipërmarrja ka nevojë për profesionistë. Po ashtu universitetet po bëjnë përpjekje për të përmirësuar kurrikulat dhe programet, për të zhvilluar më tej njohuritë e stafit akademik. Edhe sinkronizimi mes kërkesës dhe ofertës për punë të jetë dhe më i mundshëm. Në gjykimin tim, universitetet duhet të prodhojnë profesionistë të një niveli të caktuar në numër sa ka nevojë tregu dhe të bazuar në një studim 5 vjeçar.”, tha eksperti.
Duke u ndalur te kërkesat e tregut për sezonin turistik, eksperti tha se është e nevojshme që të rishikohen kuotat e shkollave profesionale.
“Duhet të rishikohen kuotat e shkollave profesionale me degën e turizmit. A ka mjaftueshëm të rinj dhe nga ana e industrisë, çfarë propozimesh ka bërë që të rinjtë ta shohin me interes këtë industri. Duhet riparë dhe mënyra e motivimit të punonjësve jo vetëm në nivelin e pagës, por në trajtimin njerëzor dhe formal duke mos iu futur në hak asnjërit si me orët e punës jashtë orarit dhe me lehtësi si akomodimi, ushqimi, apo qëndrimi në njësitë turistike. Të ndërtohet një program në nivel kombëtar se çfarë nevojash ka kjo industri”, tha eksperti./abcnews.al