Bashkëpunimi dhe jo “përplasja e qytetërimeve” duhet të diktojnë të ardhmen e botës

schedule09:58 - 4 Tetor, 2021

schedule 09:58 - 4 Tetor, 2021

Nga Thomas Piketty, Internazionale

Njëzet vjet më parë dy avionë rrëzuan kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork. Sulmi më i rëndë terrorist në histori do t’i nxiste Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të fillonin një luftë botërore kundër terrorizmit dhe kundër “boshtit të së keqes”.

Për neo-konservatorët amerikanë, sulmi ishte një dëshmi e tezave të propozuara në vitin 1996 nga politologu Samuel Huntington:“Përplasja e qytetërimeve” ishte prizmi i ri për leximin e botës. Mjerisht, ne sot e dimë se dëshira e Uashingtonit për hakmarrje, dhe brutalizimi i rajoneve të tëra që pasoi, vetëm sa i ka përkeqësuar konfliktet e identitetit. Pushtimi i Irakut në vitin 2003, i justifikuar me gënjeshtrat mbi armët e shkatërrimit në masë, e minoi besueshmërinë e demokracive perëndimore. Falë imazheve të ushtarëve amerikanë që abuzonin me të burgosurit e burgut Abu Ghraib, nuk kishte nevojë që agjentët të rekrutonin xhihadistë.

Arroganca e ushtrisë amerikane dhe humbjet e mëdha brenda popullsisë irakiane (të paktën 100 mijë vdekje të konfirmuara) bënë pjesën tjetër, duke kontribuar në copëzimin e territorit sirian dhe irakian, dhe në ngritjen e Shtetit Islamik.

Dështimi në Afganistan, me rikthimin në pushtet të talebanëve pas 20 viteve të pushtimit perëndimor, i dha fund në mënyrë simbolike këtij episodi të trishtë. Që të dalim realisht nga trauma e 11 Shtatorit, ne në Perëndim na nevojitet një lexim i ri i botës.

Ka ardhur koha të braktisim konceptin e “përplasjes së qytetërimeve”, dhe ta zëvendësojmë atë me atë të zhvillimit të përbashkët dhe drejtësisë globale. Dhe kjo kërkon qëllime të përbashkëta drejt prosperitetit, dhe përcaktimin e një modeli të ri, të qëndrueshëm dhe të barabartë ekonomik.

Tashmë jemi që të gjithë dakord:pushtimi ushtarak i një vendi, forcon segmentet më radikale dhe reaksionare të shoqërisë, dhe nuk sjell asgjë të mirë. Madje ekziston rreziku që vizioni ushtarak dhe autoritar, të zëvendësohet nga një qasje izolacioniste, dhe nga iluzioni se qarkullimi i lirë i mallrave dhe kapitalit është i mjaftueshëm për ta shpërndarë pasurinë.

Por kjo qasje do të thotë të harrosh karakterin hierarkik të sistemit ekonomik botëror, dhe faktin që jo të gjitha vendet garojnë në kushte të barabarta. Nga ky këndvështrim, mundësia e parë humbi pikërisht këtë vit 2021.

Diskutimet se si të reformohet tatimi mbi korporatat shumëkombëshe, ka degraduar në thelb në debatin sesi të ndahen të ardhurat nga taksat midis vendeve të pasura. Në vend të kësaj, është urgjente që të gjitha vendet, nga veriu në jug të botës, të marrin një pjesë të të ardhurave nga të pasurit e planetit (kompanitë shumëkombëshe dhe miliarderët) në proporcion me popullsitë e tyre.

Sepse së pari çdo qenie njerëzore duhet të ketë të drejtën e zhvillimit, shëndetit dhe arsimit, dhe së dyti sepse zhvillimi i vendeve të pasura nuk do të ekzistonte pa vendet më të varfra. Rritja ekonomike e Perëndimit dje apo e Kinës sot, ka qenë gjithmonë e bazuar në ndarjen ndërkombëtare të krahut të punës dhe shfrytëzimin e burimeve njerëzore dhe natyrore të botës.

Kur shfaqen refugjatët në anën tjetër të planetit, Perëndimorët thonë se u takon vendeve fqinje të merren me ta. Nga ana tjetër, kur ka uranium ose bakër për t’u shfrytëzuar, ata janë të parët që dalin në skenë, pavarësisht distancës gjeografike.

Në rast se e pranojmë parimin e ndarjes së të ardhurave tatimore midis të gjitha vendeve, ne duhet të bisedojmë mbi rregullat që duhen respektuar. Kjo do të ishte një mundësi për të diktuar kushte të sakta mbi të drejtat e njeriut, në veçanti mbi gratë dhe pakicat, të cilat do të zbatoheshin për talebanët, por edhe për vendet që duan të përfitojnë nga këto të ardhura.

Ndërkohë për të parandaluar keqpërdorimin e parave, ne duhet t’i përfshijmë që të gjithë në kërkimin e pasurive të errëta, dhe të sqarojmë akumulimin e tepërt të parave, qoftë në sektorin publik apo atë privat. Thelbi është se kriteret duhet të përcaktohen në mënyrë neutrale dhe të zbatohen kudo në të njëjtën mënyrë, si në Afganistan edhe në Arabinë Saudite, si në Paris po ashtu edhe në Londër.

Vendet perëndimore duhet të ndalin së përdoruri argumentin e korrupsionit, për t’i mohuar jugut të botës çdo të drejtë për t’u zhvilluar, ndërsa në të njëjtën kohë ata bëjnë pakte me oligarkët dhe despotët që u shërbejnë interesave të tyre. Epoka e tregtisë së pakufizuar të lirë ka mbaruar, tregtia duhet të varet nga treguesit socialë dhe mjedisorë.

Është e kuptueshme pse presidenti amerikan Joe Biden dëshiron që ta kapërcejë përplasjen midis qytetërimeve. Për Shtetet e Bashkuara, kërcënimi nuk është më islamizmi:është ai që vjen nga Kina dhe mbi të gjitha kërcënimi i brendshëm, për shkak të ndarjeve shoqërore dhe racore.

Por fakti është se sfida kineze, ashtu si sfida e brendshme sociale në SHBA, do të gjejë zgjidhje vetëm me transformimin e modelit ekonomik. Nëse për këtë nuk do të propozohet asgjë, atëherë vendet e varfra dhe rajonet periferike të Shteteve të Bashkuara do t’u drejtohen gjithnjë e më shpesh Pekinit dhe Moskës për të financuar zhvillimin e tyre dhe për të ruajtur rendin. Dalja nga trauma e 11 Shtatorit, nuk duhet të përfundojë me një izolacionizëm të ri, por me një erë të re internacionalizmi dhe universalizmi. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Thomas Piketty, është një ekonomist francez me famë ndërkombëtare. Ai drejton Shkollën e Studimeve të Larta në Shkencat Sociale në Universitetin e Parisit.