Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas letrës së Autoritetit të Dosjeve se ai rezulton si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Në një konferencë për mediat nga selia e Partisë së Lirisë, Meta e quajti të manipuluar dhe tha se i ka mbërritur një e-mail anonim. Meta thotë se që në hyrjen e tij në politikë në vitin 1992 i është nënshtruar të gjitha filtrave.
“Si mund ti shmangen unë një përgjigje pavarësisht se nuk ka shqiptar mbi këtë tokë që nuk e kupton që me këtë akt vetëvrasës sepse autoriteti para se të jetë ligjor është moral se të takon të trajtosh një periudhë të dhimbshme të vendit dhe njëkohësisht edhe të ngushëllosh viktimat, të prekurit e asaj periudhe. Kjo është për të ardhur keq për autoriteti tani të manipulimit dhe kriminalizimit të dosjeve. Ata e dinë më mirë se çfarë ka dhe sa e manipuluar është në ato dosje që thonë ato.
Me një e-mail anonim elektronik që jam i sigurt që do të gajaseni, na qenka zbuluar e qenka një I.M që sipas lojërave u zbulua që pas 30 vjetësh I.M qenka ky njeri i cili që në mars të 92 është bërë deputet dhe i është nënshtruar të gjitha filtrave, që nga i zotit Berisha”, tha Meta.
Ndërkaq, ABC ka mësuar se Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ka informuar ditën e sotme ish-presidentin e Republikës Ilir Meta se në emër të tij ndodhen të paktën 140 faqe informacion në arkivat e ish-Sigurimit të shtetit.
Bazuar në nenin 5 për të Drejtën e Informimit mbi dokumentet e ish-Sigurimit, Meta është vënë në dijeni se në bazë të verifikimeve të kryera deri më tani, ka në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit për të, një dosje përpunimi nr. 2565 e përbërë nga 140 faqe të anonimizuara, digjitalizuara, të hedhura në format CD.
Dokumenti në fjalë do t’i jepet kreut të Partisë së Lirisë në trajtë fotokopjeje dhe CD. Vendimi në fjalë është i ankimueshëm në Gjykatën Administrative.
Në letrën e Autoritetit drejtuar Kuvendit zbulohet se Ilir Meta është politikani i lartë i shtetit, që përmendet në dosjen e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit. Po ashtu, Kuvendit i kujtohet miratimi i propozimit për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë si dhe disa ndryshime në ligjin 45/2015.
/abcnews.al