Komisioni Europian ka bërë publik programin e plotë të konferencës ndërkombëtare të donatorëve të titulluar “Bashkë për Shqipërinë” që synon të kontribuojë në fazën e rindërtimit dhe të rihabilitimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.
“Kjo konferencë që organizohet nga presidentja Von der Leyen dhe Komisioni Europian ka për qëllim mbështetjen për fazën e rindërtimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit në Shqipëri. Në orën 14:15 presidentja e Komisionit Europian dhe kryeministri Edi Rama do të nënshkruajnë programin për mbështetjen e Shqipërisë lidhur me rindërtimin dhe rehabilitimin e dëmeve të tërmetit në Shqipëri me një vlerë prej 15 milion euro. Presidentja e Komisionit Europian do të hapë konferencën së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel në 14.30”, deklaroi zëdhënësja e KE-së, Dana Spinant.
Dy komisionerë do të jenë krejtësisht të angazhuar në këtë konferencë, përkatësisht, komisioneri përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varhelyi dhe komisioneri përgjegjës për menaxhimin e krizave, Janez Lenarcic.
“Komisioneri Oliver Varhelyi do të hapë dhe mbyllë sesionin e angazhimeve të donatorëve në këtë konferencë, ndërkohë që komisioneri Janez Lenarcic do të prezantojë përgjigjjen e emergjencës që ka dhënë Bashkimi Europian për tërmetin në Shqipëri, si dhe vlerësimin e nevojave lidhur me dëmet e tërmetit. Në përfundim të konferencës, presidentja Von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama do të mbajnë një konferencë për shtyp”.
Në konferencën ndërkombëtare të donatorëve që do mbahet në 17 shkurt në Bruksel do të marrin pjesë edhe Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, shtete anëtare të Bashkimit Europian dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor./abcnews.al