“Bashkë Fitojmë” pa kryetar në fletën e votimit/ Topollaj: Demokratët e kanë të vështirë të votojnë përbri emrit të Ilir Metës

schedule18:34 - 17 Prill, 2023

schedule 18:34 - 17 Prill, 2023

Koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” nuk do të ketë një emër kryetari në fletën e votimit për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Koordinatori në Partinë Bindja Demokratike, Fabjan Topollaj deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha nuk mund të vendosë emrin e tij, pasi gjykata dhe KQZ nuk e njohin si drejtues të Partisë Demokratike.

Në një intervistë për ABC News, Topollaj u shpreh se në fletën e votimit nuk është vendosur kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pasi sipas tij, demokratët e kanë të vështirë të votojnë përbri emrit të tij.

“Do duhet të ishte kryetar, emri i një kryetari të një partie tjetër për shkak se zoti Berisha, formalisht nuk njihet nga gjykata dhe KQZ si drejtuesi i Partisë Demokratike. Unë mendoj se është shumë e qartë se kush është favori që krijohet. Favori që krijohet është edhe i aspektit politik. Është e gjithëpranuar, që demokratët, të djathtët e kanë më vështirë të votojnë përbri emrit të Ilir Metës. Ilir Meta, nga historia e tij politike, është me profil të majtë dhe për një kohë shumë të gjatë, edhe në antagonizëm me Partinë Demokratike. Ka pasur vetëm një qeverisje 4-vjeçare. Zoti Meta u bë shkak për rrëzimin e asaj qeversiseje dhe ardhjen e mazhorancës që ende është sot në qeverisje”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!