Basha viziton të lënduarit gjatë protestës së opozitës

schedule17:59 - 26 Maj, 2018

schedule 17:59 - 26 Maj, 2018

Kreu i opozitës Lulzim Basha, pasi falenderoi protestuesit nga selia blu, lajmëroi vizitën në spitalin e Traumës për të parë nga afër gjendjen e të lënduarve gjatë protestës.

Momenti i fiksuar nga kamerat tregon kryeredaktorin e gazetës Rilindja Demokratike teksa goditet nga policia. Kryeredaktori tregon për mediat momentin.

“Më kanë goditur herën e parë  njëri me dy shkopa gome diku në anën e majtë të kokës. Aty nuk pata çarje për momentin. Pastaj ishte dikush tjetër që nuk munda ta fiksoj dot, për shkak të hematomës dhe plagës që mora. Menjëherë më ka goditur tre herë kokës këtu. (tregon në kokë) Në atë moment humba edhe shikimin, s’munda të shihja asgjë tjetër, vetëm sa jam tërhequr”- u shpreh Bledi Kasmi.

Lulzim Basha: “Ishte një protestë paqësore, ishte një protestë e qetë, europiane, qytetare dhe nuk pati për asnjë moment dhune ndaj organeve të rendit. Dhuna e ushtruar ndaj Bledi Kasmit dhe ndaj protestuesve të tjerë është treguesi më i mirë se si policia është dhe do të jetë në shërbim të familjes mafioze Xhafaj, të vëllezerve Xhafaj sa kohë që Fatmir Xhafaj është ministër i Brendshëm”.

Mjeku që ndoqi gjendjen e të lënduarve tha se 9 policë dhe 1 gazetar janë paraqitur pranë spitalit të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.

Nga ana e saj policia njoftoi se 11 efektivë të policisë kanë marrë lëndime gjatë kësaj proteste dhe po marrin ndihmë mjekësore po në Spitalin e Traumës. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!