Lulzim Basha dënoi aktet e dhunës së mbështetësve të Sali Berishës dhe foli për tre skenarë që u shmangën; “zaptimi i shtëpisë së lirisë, gjakderdhja e shkaktimi i viktimave dhe zbulimi i vëllezërve siamezë Rama-Berisha”. Por ku e shikon Basha, lidhjen mes Ramës dhe Berishës? Lideri i PD-së akuzoi se me urdhër të Edi Ramës për një orë e gjysmë policia e shtetit refuzoi që të bënte detyrën për të mbrojtur rendin dhe se ndërhyri në selinë e PD-së pas reagimit të kancelarive perëndimore.
“Ishin një grusht njerëzish dhe jo fantazitë me 44 mijë demokratët, por një grusht njerëzish. Dua t’u them, se Berisha sot ka kryer punë me PD-në dhe demokratët, se është rikthyer në shtratin që buroi, bolshevizimit dhe si i tillë nuk përfaqëson më më të keqen e kësaj partie, por atë që kjo parti e ka lënë pas.
Sot më shumë se vendimet e kuvendit dhe këshillit, PD ka treguar se di të ndahet nga e shkuara. Sot është shpalosur fare qartë se Berisha dhe Rama janë dy vëllezër siamezë, njëri manipulon zgjedhjet dhe tjetri nuk lë mjet pa përdorur duke kulmuar nxitjen mes demokratëve për t’iu fshehur nga non grata e SHBA-së dhe pasojat që kjo sjell për të vetë dhe rrethin e tij të ngushtë.
Rama nuk e ka fshehur kënaqësinë e tij sot jo vetëm me fjalë por edhe me vepra. Policët meritojnë përgëzim, por drejtuesit pritën lëshimin e deklaratave nga kancelaritë perëndimore dhe u përdorën si instrument politik jo sepse kështu thotë ligji, por të kundërtën thotë ligji. Cfarë po ndodhte këtu ishte në sytë e mbarë botës, por jo të policisë.
Me përmbysjen e këtyre tre skenarëve; zaptimin e shtëpisë së lirisë, gjakderdhjes dhe shkaktimit të viktimave dhe zbulimin e vëllezërve siamezë Rama-Berisha. Me urdhër të tij për një orë e gjysmë policia e shtetit refuzoi që të bënte detyrën për të mbrojtur rendin.
Pavarësisht se kemi përballë trekëndëshin e Bermundës, nga grupet e krimit të organizuar që iu sulën selisë, prapë se prapë burrat dhe gratë në këtë sallë ditën të qëndrojnë dhe të japim kështu shpresën dhe sinjalin e bashkimit me të gjithë demokratët kudo që janë për largimin e kastës së pashallarëve të tranzicionit, që po u vjen fundi një e nga një” tha ai./ Abcnews.al