Basha: Të bashkuar e rrëzojmë Ramën

schedule13:11 - 17 Janar, 2019

schedule 13:11 - 17 Janar, 2019

Kreu i selisë blu, Lulzim Basha, ka shpjeguar sot për gazetarët, se stina e protestave të opozitës do shërbejë edhe për t’u komunikuar qytetarëve modelin e ri që ofron Partia Demokratike pas rrëzimit të Edi Ramës. Por Basha nënvizoi se nevojitet edhe angazhimi i qytetarëve.

“Ditën e djeshme opozita ka vendosur të udhëheqë protestat qytetare deri në largimin e kësaj qeverie sikundër bëhet gati për të parashtruar një zgjidhje politike për të cilën do kemi një vendimmarrje konkrete në Këshillin Kombëtar të PD-së ditën e shtunë dhe do të kemi një mobilizim të partive të opozitës në bashkëpunim me qytetarët. Një gjë është e sigurtë. Kjo qeveri ka rënë. Ka rënë para syve të qytetarëve, ka rënë para syve të Europës e gjithë botës. Ka rënë edhe në sytë e socialistëve të ndershëm. Nuk përfaqëson asgjë më, përfaqëson vetëm interesin privat të Edi Ramës në funksion të grabitjes, vjedhjes dhe sundimit të vendit për interesa personale. Unë jam i ndërgjegjshëm që shqiptarët nuk kërkojnë thjesht largimin e një njeriu, por largimin e një modeli dhe zëvendësimin e tij me një model që të punojë për ta. Nuk mund të shpikim modele. I vetmi model që qëndron është ai europian. Për këtë qëndroj personalisht unë dhe PD ndaj dhe sezoni i protestave që do të nisë do të jetë po kështu një mundësi për të biseduar hapur me njerëzit, për të ndarë me ta vizionin për platformën tonë mbi të nesërmen, për t’ia marrë Shqipërinë oligarkëve dhe për t’ia kthyer qytetarëve përmes platformës tonë antimafia, për dekriminalizimin e zgjedhjeve, për një Shqipëri me taksa të ulëta që subvencionon gjithçka që rrit prodhimin dhe jep shansin për punësim”, tha Basha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!