Basha takon Metën: Zgjedhje të parakohshme me 13 tetor

schedule14:05 - 16 Korrik, 2019

schedule 14:05 - 16 Korrik, 2019

Larg vëmendjes së medias, Lulzim Basha takon Presidentin Ilir Media.

Mundësia e zgjedhjeve në 13 tetor ka qenë tema kryesore e bisedës që zgjati rreth 40 minuta.

Takimin e zbardhi vetë kryetari i Partisë Demokratike pas takimit që zhvilloi me aleatët në selinë blu.

Padyshim lidhet me 13 tetorin. Kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe, siç është shprehur politikisht, edhe përmes zgjedhjeve të reja presidenciale, që nënkupton ndryshime kushtetuese”, tha Basha.

E vlerëson maksimalisht qëndrimin e presidentit dhe shqetësimin e tij kryetari demokratëve, por ende nuk thotë nëse do të jetë 13 tetori hapi final drejt zgjedhjeve.

“Opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës, që është dhunuar dhe tjetërsuar, përtej çdo përfytyrimi, çfarë e pa edhe me 30 qershor, ku Edi Rama nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur edhe një proces ku kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë, tabulonte vetë dhe,  për të garantuar, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një qeveri që buron nga njerëzit dhe u shërben njerëzve”, deklaroi ai.

Duke u ndalur në takimin me opozitën e bashkuar kryedemokrati Basha tha se ka diskutuar për hapat e mëtejshëm që do të hidhen në aksionin politik në të gjitha rrafshet, në raport me njerëzit, me qytetarët, në raport me faktorin ndërkombëtar dhe në raport me zgjidhjet që presin shqiptarët.

“Në këtë kuadër, kemi diskutuar për emergjencën ekonomike, ku ndodhet vendi, sepse një nga mëkatet më të mëdha, një nga fajet më të mëdha të kësaj bande që na qeveris është që, duke tërhequr opozitën në betejën parimore për vlerat themelore të lirisë e të demokracisë, të luftës kundër krimit dhe drogës, ia ka dalë t’i vërsulet Shqipërisë, buxhetit të saj, pasurive të saj, ta vjedhë dhe ta grabisë qytetarin e thjeshtë, pasurinë e këtij vendi dhe ta zhysë ekonominë në ditën e saj më të zezë, në të paktën 2 dekada”, theksoi Basha.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, opozita e bashkuar e sheh veten si mazhorancë të re politike ndaj dhe kanë nisur punën që të kenë gati të gjitha zgjidhjet e problemeve ekonomike e sociale nëse do të ulen në kabinetin e ri qeveritar./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!