Për Lulzim Bashën kupa është mbushur. Pas një “Po”-je me kushte që Gjermania i dha Shqipërinë, kryetari i opozitës e ftoi publikisht Edi Ramën të mbajë përgjegjësi dhe t’i kthejë mandatin shqiptarëve. Përmes zgjedhjeve të reja, Basha e sfidoi kreun e qeverisë në një përballje direkte përballë shqiptarëve.
“Ky është momenti t’u kthejë mandatin qytetarëve, që të vendosin qytetarët se kush do t’i qeverisë. Të vendosin qytetarët, nëse do t;I besojnë atij një mandat të tretë apo jo, apo do të mbështesin opozitën me alternativën e daljes nga kriza e thellë sociale, ekonomike dhe politike, alternativën e Shqipërisë si gjithë Europa, që është PD dhe opozita e bashkuar. është koha që një herë në jetën e tij Edi Rama të vendosë fatin e Shqipërisë të parin dhe jo fatin e tij personal me të cilin ka mbajtur peng Shqipërinë gjatë këtyre 6 viteve”.
Jashtë institucioneve, por i gatshëm për zgjidhjen e krizës, Basha kujtoi se s’ka qenë asnjëherë pengesë për zgjidhjen e krizës. Madje në bashkëbisedimin e mëngjesit që zhvilloi me gazetarët i ftoi ata të pyesnin Edi Ramën përse refuzoi ndërmjetësimin ndërkombëtar.
Përfaqësimi me ekspertët zgjedhor në tryezën e thirrur nga OSBE ishte sinjali i parë i uljes në tryezë me shumicën, ndërkohë që formula e re përfshinte thellësisht faktorin ndërkombëtar dhe bënte të pavlefshme opozitën parlamentare.
Basha nuk tha nëse një formulë e tillë është e dakordësuar më parë me ndërkombëtarët, por u shpreh i bindur se influenca e tyre do të bënte të ngrinin kartonin jeshil edhe opozitarët e rinj në Kuvend. Kushtet e vendosura nga grupet politike të CDU/CSU për çeljen e negociatave për Shqipërinë do të jenë edhe udhërrëfyesi i ri për opozitën përballë qeverisë dhe kushtit të saj për zgjedhje të parakohshme./ABC News Albania 24/7