Basha: Jemi në krizë humanitare, pleq e fëmijë të sëmurë. Të ndalim rrokullisjen në greminë

schedule12:15 - 24 Dhjetor, 2019

schedule 12:15 - 24 Dhjetor, 2019

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzon qeverinë se po sillet me papërgjeshmëri me mijëra familje të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Pas takimit të banorëve të Thumanës, përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale Basha deklaroi se vendi është në një krizë të thellë humanitare me fëmijë dhe të moshuar me problem shëndetësore për shkak të qëndrimit në çadra.

Basha u shpreh i bindur se zgjidhja e krizës së thellë që po kalon vendi kalon nga zgjidhja e krizës politike dhe ndërtimi i një qeverie të përgjegjshme.

“Vendi është në një krizë të thellë politike dhe Kushtetuese. Rruga për të zgjidhur këtë krizë duhet të nisë me përpjekkejet e të gjithë shqiptarëve për të patue një qeveri të përgjgjehme”, tha Basha.

Në një kohë që qeveria po harton ende planin e masave për ndërhyrje në objektet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, Basha akuzon kryeministrin për paradë dhe përdorje të asaj fatkeqësie natyrore.

“Jemi në një krizë humanitare e cila do të thellohet sepse shteti nuk po vepron. Po bëjnë gati të ngrenë mbi rrënojat e tërmetit një tjetër megaferë korruptive”, theksoi Basha.

Oferta e demokratëve për qeverinë është dëmshpërblimi i menjëhershëm financiar për banesat private të dëmtuara nga tërmeti dhe zgjidhje afatgjatë për pallatet e shembura apo të shpallura të pabanueshme pas 26 nëntorit.

Deklarata e plotë e Bashës:

Të dashur miq, jam rrugës për kthim në Tiranë nga Thumana, ku për dy orë vizitova shumë familje të cilat janë në gjendje të mjerueshme. Pas një zallamahie propagande ata janë krejtësisht të harruar, të braktisur.

Ndërkohë që ftohja e motit dhe shirat i kanë nxjerrë jashtë përdorimit çadrat prej plastmasi apo çadrat verore me të cilat janë pajisur një pjesë prej tyre.

Dëshpërimi mbretëron kudo, varfëria është thelluar dhe tashmë ka nisur një pasojë tjetër e tmerrshme e kësaj krize humanitare. Ka shumë fëmijë të sëmurë, ka shumë të moshuar në nevojë për kujdes mjekësor për të cilët kanë nevojë por të cilët e kanë plotësishtë të pamundur të marrin çdo shërbim aty ku janë apo të zhvendosen drejt spitaleve të Krujës, Tiranës apo të Laçit.

Kjo është gjendja e harresës totale, e braktisjes totale të shtetit prej kartoni, e shtetit të babëzisë dhe korrupsionit që është rrëzuar kohë para se tërmeti të rrëzonte shtëpitë e banorëve të Thumanës, Durrësit, Kurbinit dhe zonave të tjera të goditura rëndë.

Jemi në një krizë humanitare, me përmasa të plota, e cila vetëm sa do të thellohet.

Sepse shteti nuk po vepron. Qeveria dhe kryeministri e kanë mendjen tek parada mediatike, propaganda dhe po bëjnë gati të ngrenë mbi rrënojat e tërmetit një tjetër megaaferë korruptive, vjedhje, zhvatje dhe grabitje.

Vendi është në një krizë të thellë humanitare, ekonomike, sociale, politike dhe kushtetuese.

Ruga për ta zgjidhur këtë krizë duhet të nisë me përpjekjet e të gjithë shqiptarëve pa dallime partiake, për të patur një qeveri të përgjegjshme. Një qeveri e cila ndihmon në kapërcimin e pasojave të tërmetit dhe bën gati të gjitha masat dhe të gjitha instrumentet për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të goditur kaq rëndë dhe për të ndalur rrokullisjen e ekonomisë kombëtare, në një greminë edhe më të thellë.

Nga zgjidhja e krizës politike, kalon edhe zgjidhja e krizës ekonomike, kalon edhe shpëtimi i dhjetëra mijëra familjeve të cilat ndodhen si asnjëherë në mëshirën e fatit.

Kjo është sot emergjenca e vërtetë kombëtare e vendit.

Ju përshëndes edhe një herë në kthim nga Thumana./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!