Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi të hënën qeverinë Rama se ka lënë në mëshirë të fatit pa asnjë ndihmë banorët e përmbytur, teksa në krahun tjetër përpiqet ta nxjerrë këtë fatkeqësi në media e në ekrane si sukses qeveritar.
“Nuk ka asgjë spektakolare në Darzezë, në Ferras e në shumë fshatra të tjera të Fierit ku balta ka mbuluar dhjetëra shtëpi e ka shkaktuar dëme të rënda materiale. Dhe në Dërmenas po ashtu. Asgjë spektakolare nuk ka në Novoselë e në zona të tjera të Vlorës ku, si pasojë e përmbytjeve, ka mungesa bazike, nga ushqimet tek dritat dhe uji. Asgjë spektakolare nuk ka në Fushë-Krujë, në Bilaj, në fshatin Hasan dhe lagje të tjera, ku uji dhe balta kanë përmbytur e marrë me vete shumë pasuri dhe kursime të qytetarëve”, tha Basha në rrjetet sociale.
Por ai shtoi se ka dy gjëra spektakolare!
“Spektakolare është përpjekja për ta nxjerrë këtë fatkeqësi në media e në ekrane si sukses qeveritar! Spektakolare është braktisja e qytetarëve nga qeveria dhe lënia nën mëshirë të fatit pas asnjë ndihmë.”
Komentet e kryedemokratit vijnë pasi kryeministri Rama mëngjesin e së hënës u uroi mirëmëngjes qytetarëve me një pamje nga lumi i Semanit, tanimë i tërhequr në shtratin e tij. Pamjen kryeministri e quajti speaktakolare./abcnews.al