Basha: Qytetarët të çlirojnë parlamentin

schedule10:46 - 20 Shtator, 2018

schedule 10:46 - 20 Shtator, 2018

Nga Vlora, ku mblodhi sot deputetët opozitarë, kreu demokrat Basha akuzoi qeverinë për atë që quan aferë kriminale dhe korruptive me ligjin special për Teatrin Kombëtar. PD dhe aleatët e saj vijojnë bojkotin e parlamentit që prej fillimin të këtij sesioni.

Opozita e bashkuar takimin e radhës të grupit parlamentar me aleatët e zhvilloi në Vlorë.

Duke denoncuar ashpër praktikën e vjedhjes me ligj, si e quan Lulzim Basha rivotimin në parlament të ligjit special për Teatrin Kombëtar, të rrëzuar si antikushtetues nga dekreti persidencial, rastin e servir si pasqyrim të situatës energjente ku ndodhet vendi.

“Drejtësia në kolaps, gjykata në kolaps, pa gjykatës dhe prokurorë nuk mund të jetë zgjidhje për vjedhjen me ligj që votohet sot në seancën plenare”, tha Basha.

Kjo zgjidhje nuk mund të vijë as nga institucionet që e kanë detyrë ndalimin e paligjshmërisë, thekson kryedemokrati, sa kohë gjenden nën kontroll politik.

“Cila është policia që duhet të arrestojë ligjvënësit që vjedhin me ligj. Policia është shtojcë e organizatave kriminale. Drejtësia e tregon rasti i Emiliano Shullazit ku u katandis, është pa prokuror. Kjo është vepra e Ramës në reformën në drejtësi. Ky është nderi i Ramës ndaj Shullazëve të tjerë”, tha Basha.

Pjesmarrjen e opozitës në Kuvend e sheh si përligje të asaj që quan fasadë parlamentare për llogari të kriminelëve, ndaj në një thuajse-thirrje për protestë, Basha identifikon të vetmen zgjidhje demokratike joinstitucionale.

“Çlirimi i parlamentit nga sovrani përmes mobilizimit qytetar është e vetmja mënyrë. Bashkimi i qytetarëve që kulmon në Tiranë do i provojë shqiptarëve se koha kur një tufë banditësh marrin peng Shqipërinë do të marrë fund shpejt”, u shpreh kreu i PD-së.

Betejën politike brenda institucioneve thotë se opozita e tij e ka mishëruar me propozimet kushtetuese për Vettingun e politikanëve, zgjidhja e vetme për Lulzim Bashën për pastrimin e mëtejshëm të institucioneve nga miqtë e kriminelëve, pas largimit të vetë këtyre të fundit, të arritur nga ligji i dekriminalizimit edhe kjo e fundit nismë e opozitës demokrate./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!