Basha publikon videon nga Këshilli Kombëtar: Të bashkuar për t’i dhënë fund tranzicionit rraskapitës

schedule21:32 - 23 Dhjetor, 2021

schedule 21:32 - 23 Dhjetor, 2021

Kryedemokrati Lulzim Basha ka publikuar në llogaritë e tij në mediat sociale pamje nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike që u mblodh pasditen e kësaj të enjteje.

Bashkë me pamjet, Basha ka risjellë edhe një pjesë të fjalës së tij gjatë kësaj mbledhjeje.

“Më 18 Dhjetor Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike #ZgjodhiTëArdhmen, sot Këshilli Kombëtar nisi punën për ndërtimin e saj. Të bashkuar me mendje e zemër rreth vlerave tona dhe me forcën morale me të cilën qëndrojmë përballë të keqes dhe larg të shkuarës, ne do të bashkëpunojmë ngushtësisht me shoqërinë për t’i dhënë fund tranzicionit rraskapitës e për të hapur një horizont të ri shprese për Shqipërinë dhe shqiptarët.”

Kujtojmë se gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar këtë pasdite në PD u miratuan emrat e rinj që do të zëvendësojnë anëtarët e Këshillit që u shkarkuan në 12 dhjetor.

Konkretisht, Partia Demokratike propozoi për kryetar të Këshillit Kombëtar Arta Sakjan, e cila zëvendëson Edi Palokën që u shkarkua disa ditë më parë.

Sekretar Organizativ emërohet Flamur Hoxha ndërsa sekretar Ligjor dhe Zgjedhor Indrit Sefa. Ndërkohë sekretar i Pushtet Vendor emërohet Roland Bejko dhe sekretar për Diasporën u emërua Kreshnik Çollaku.

Anëtarë të Kryesisë janë emëruar Agron Kapllanaj, Gazmend Koduzi, Xhemal Gjunshi, Helidon Bushati dhe Xhelal Mziu. Anëtarë të Komisionit të Apelit, Etikës dhe Disiplinës: Kryetare Flutura Ackaj.  Anëtarë: Dash Sula, Orjola Pampuri, Xhemal Bushati, Arbi Agalliu

Këto emra zëvendësojnë mbështetësit e Sali Berishës që u shkarkuan në 12 dhjetor nga Këshilli Kombëtar. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, kreu aktual i Partisë Demokratike u ka lënë edhe porositë e tij anëtarëve, duke thënë se që nga dita e nesërme duhet të dalin të gjithë në terren me demokratët. /abcnews.al/