Basha propozon rrugëdaljet për arsimin: Rama mashtroi

schedule13:47 - 26 Dhjetor, 2018

schedule 13:47 - 26 Dhjetor, 2018

“Mbaroi viti qeveritar, ashtu siç nisi, me mashtrime dhe me premtime të pambajtura”.

E nisi kështu deklaratën për media kreu i opozitës, Lulzim Basha, pas prezantimit të Paktit për Universitetin nga shefi i qeverisë Edi Rama. Produkt i panikut kjo lëvizje sipas kryedemokratit.

“Çikërrimat dhe mashtrimet me të cilat doli, të cilat janë riciklimet e atyre që ka thënë gjatë këtyre ditëve, nuk zgjidhin asnjë nga problemet e vërteta, të thella, financiare me të cilat përballet studentët dhe prindërit e tyre. VKM-ja për bibliotekat. Asnjë nga zgjidhjet që kanë kërkuar studentët. Përfaqësimi i studentëve në bordet e administrimit: asnjë nga zgjidhjet që kanë kërkuar studentët”, u shpreh ai.

Zgjidhjet janë dy, sipas Lulzim Bashës, dhe gjithçka nis me anulimin e Ligjit për arsimin e lartë.

“Shtylla e dytë është dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë. Kemi sot arsimin e lartë më të shtrenjtë në Evropë.  Shqiptarët paguajnë sot më shumë para për arsimin e lartë se çdo vend tjetër evropian  dhe ka cilësinë më të dobët në Evropë, një nga cilësitë më të dobëta në botë”, tha Basha.

Hartimi në konsultim me studentët, pedagogët dhe gjithë shoqërinë i një ligji për arsimin e lartë me në thelb demokratizimin, thekson Basha, duke shpalosur detaje të planit të forcës së tij politike.

“Demokratizim do të thotë më shumë autonomi në vendimmarrje për universitetet dhe një rol më të madh për pedagogët dhe studentët… Do të thotë një rikonceptim i mënyrës sesi do të rritet cilësia e mësimdhënies në universitete. Kjo do të thotë padyshim investim në infrastrukturën konviktore dhe akademike. Bibliotekat, auditorët, mbështetja me teknologjinë e informacionit dhe natyrisht cilësia e mësimdhënies, cilësia e pedagogëve dhe rankimi i universiteteve”, u shpreh Basha.

Sa i përket shtyllës së dytë…

“Propozimi ynë është i qartë dhe i thjeshtë: dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë. Aktualisht kjo do të thotë një vlerë prej afërsisht 74 milionë dollarë më shumë se sa ato që janë planifikuar”, u shpreh kryedemokrati Basha.

Para këto të cilat do të kanalizohen në dy drejtime. E para në subvencionimin e tarifës studimore për studentët, prindërit e të cilëve nuk kanë mundësi ekonomike.

“Pra, që prindërit dhe studentë të mos paguajnë as tarifën e Bachelor, as tarifën e Masterit, nëse vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj. Për familjet me të ardhura mbi 640 mijë lekë të ardhura në muaj, përgjysmim i tarifave për Bachelor dhe për Master”, tha Basha.

Planin e ka mbështetur në llogari konkrete.

“Efekti total është 38 milionë dollarë. Në planin tonë për ndryshimin e buxhetit për arsimin e lartë mbeten afro 37 milionë të tjerë, për të cilat ne kemi propozuar që 5 milionë të ndahen në familje me vështirësi ekstreme ekonomike. Subvencion të drejtpërdrejtë prej afro 2200 dollarësh në vit. Pjesa tjetër e parave, 32 milionë dollarë do të investohen në infrastrukturën konviktore dhe akademike të universiteteve publike shqiptare”, tha Basha.

Kjo është plotësisht e arritshme thekson Lulzim Basha nëse paratë që Edi Rama i përdor për shpenzime luksi dhe fasadash, apo që i ndan me klientët e tij për projekte korruptive dhe kontrata të kripura Partneriteti Publik Privat i kthehen qytetarëve, i kthehen studentëve./abcnews.al