Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi një akt të dënueshëm letrën e ministrit Xhafaj, dërguar Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas Bashës, prokuroria mjafton të gjurmojë Olsi Ramën dhe Agron Xhafën për të zbuluar se kush fshihet pas ngarkesës me 613 kg kokainë.
“Kjo deklaratë, kjo letër është një akt i dënueshëm i Fatmir Xhafajt, Ministrit të Brendshëm. Është vendosja edhe de juro e Prokurorisë nën urdhrat e qeverisë, nën urdhrat e Ministrit të Brendshëm”.
Kreu i opozitës i referohet kërkesës së ministrit Fatmir Xhafaj drejtuar Prokurorisë për marrjen në pyetje të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës lidhur me drogën e Maminasit.
“Informacioni më i sigurtë që mund të jap unë është se për të gjetur rrugët e kokainës në Shqipëri, Prokuroria mjafton të gjurmojë Olsi Ramën dhe Agron Xhafajn”.
Deklaratën e dha në përgjigje të interesimit të gazetarëve, në një bashkëbisedim me të cilët kreu i opozitës Basha analizon raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Rritja e taksave për bizneset e vogla dhe për qytetarët e thjeshtë.
Marrja e borxhit publik në nivele të rrezikshme kolapsuese për ekonominë,
Shpërdorim dhe grabitje e pasurive dhe parave publike me anë të PPP-ve dhe me anë të projekteve rilindjes urbane. Shqetësimet e ngritura nga Partia Demokratike dhe nga opozita këto 4 vite janë të konfirmuara në këtë raportim”.
Tashmë është FMN ajo q i bie këmbanave, thekson basha.
“FMN-ja i bie alarmit se borxhi ka arritur një rekord të papërballueshëm, gati 72 % e prodhimit të vendit. Madje në këtë borxh nuk përfshihet borxhi i fshehur përmes PPP-ve, i cili e rrit nivelin edhe me 10 pikë të tjera, duke çuar borxhin real në 82% të prodhimit të vendit”.
Raporti i FMN e thotë qartë se paratë e shqiptarëve shpenzohen për projekte investimesh të kota dhe pa leverdi për qytetarët dhe se reforma në energjitikë është nëj dështim, por edi rama nuk do heq dorë asnjëherë nga klientët e tij, theksoi Basha.