Basha premton rritje pagash: 1200 euro për mjekët, 700 euro infermierët

schedule13:32 - 26 Prill, 2019

schedule 13:32 - 26 Prill, 2019

1200 euro për mjekët dhe 700 euro per infermierët do të jetë paga minimale nën qeverisjen e të djathtëve. Zotimin e bëri kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë konferencës rajonale mbi sistemin e Shëndetësisë.

Bluzave të bardha u bëhet një premtim i rëndësishëm.

“Dua të deklaroj sot nga kjo konferencë vendimin dhe synimin e Partisë Demokratike që brenda 4 vjeçarit të parë të qeverisjes tonë paga minimale për mjekët të arrijnë në 1200 euro në muaj dhe paga minimale për infermierët të arrijë 700 euro në muaj.“

Është ky angazhimi i Partisë Demokratike nëse qeveris vendin. Por jo vetëm kaq. Vlera e ilaçeve që rimbursohen do të pësojë rritje të ndjeshme.

Këto janë vetëm disa nga zgjidhet që ofron kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha për ta nxjerrë sistemin shëndetësor në vend nga të qenit primitiv siç e përshkruan ai.

Vendi i fundit në rajon.

Në takimin rajonal mbi sistemet shëndetësore kryedemokrati Basha nënvizoi se investimi i vetëm që ka bërë kjo qeveri është gjetja e mënyrave për të vjedhur.

Sektori farmaceutikës ka rënë në kthetrat e oligarkëve, ndërsa premtimet për shëndetësi falas i përkufizon si një mashtrim të madh.

Strategjia e Partisë Demokratike për sistemin shëndetësor në vend parashikon rritje të buxhetit e të shërbimeve. Të gjitha këto do t’i nënshtrohen konsultimeve me grupet e interesit ku të përjashtuar janë abuzuesit – theksoi kreu demokrat.

Ku ka vullnet politik gjithçka është e mundur, ishte mesazhi i kryetarit të Partisë Demokratike në konferencën mbi sistemin e shëndetësisë ku morën pjesë ekspertë gjermanë, francezë, shqiptarë nga Shqipëria e Kosova. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!